Policia e Kosovës u ka dërguar ftesat për intervistim pesë personave të dyshuar për falsifikim të dokumenteve.
Kjo ka të bëjë lidhur me pesë komunat paralele që funksiononin në veri e të cilat u mbyllën më 30 gusht 2024.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani tha se katër prej ftesave i kanë dërguar dje, kurse një jo për shkak se personi i dyshuar nuk gjendej në shtëpi.
“Ne ua kemi dërguar pesë personave të dyshimtë për falsifikim të dokumenteve ftesat që të paraqiten në polici dhe të intervistohen nga ana jonë me kërkesë dhe autorizim të prokurorit. Katër prej tyre i kemi dërguar dje kurse një jo për arsye se ai person nuk ka qenë në shtëpi”, tha Elshani.
Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur të premten pesë institucione paralele serbe, duke thënë se ato kanë vepruar nën udhëheqjen e Serbisë dhe “kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre. /Telegrafi/