Site icon Telegrafi

Mbyllet seanca e parë për organizatorët, të akuzuarit për 27 prillin kanë propozuar 300 dëshmitarë

Është anuluar seanca e parë për të akuzuarit për organizimin e ngjarjeve të 27 prillit.

Seanca për organizatorët e ngjarjeve të 27 Prillit u shty për shkak se mbrojtja nuk kishte ende qasje në të gjitha provat e Prokurorisë. Pas gjysmë ore zgjatjeje procedurale nga avokatët, seanca u shty për më 26 shkurt, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Prokurorja Villma Ruskoska tha se katër të akuzuarit kanë paraqitur 300 dëshmitarë. Veprim ky që sipas saj, shihet si përpjekje për të vonuar procedurën.

Të akuzuar në këtë lëndë janë ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve dhe ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski, si dhe ish-drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski.

Ata ngarkohen se kanë kryer vepër penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.

Sipas PTHP, të dyshuarit në fillim të vitit 2017 kanë përgatitur dhe realizuar plan me qëllim që të pamundësojnë pranim-dorëzim të qetë të pushtetit. Për këtë qëllim, i kanë organizuar dhe materialisht i kanë mbështetur protestat masive, fillimisht para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ndërsa pastaj edhe protestat e lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët” të cilat kulmuan me hyrje të dhunshme në Kuvend më 27 prill.

Në hetim janë përfshirë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-punonjësi i DSK-së Nikolla Boshkovski, por procedura për ta është ndërprerë për ata derisa nuk janë të kapshëm për organet e ndjekjes./Telegrafi/

Exit mobile version