Site icon Telegrafi

Mbyllet qendra “Orenda” në Pejë, ku u rrah dhe keqtrajtua e moshuara

Ministria e Financave njoftoi të premten se ka mbyllur Shtëpinë për të Moshuar “Orenda” në Pejë, ku ditë më parë një e moshuar ishte sulmuar fizikisht e keqtrajtuar nga infermieret.

Sipas njoftimit të ministrisë, këtij subjekti i është revokuar licenca për ofrimin e shërbimeve sociale.

“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit”, thuhet në njoftimin për media.

“Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale”.

Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale.

Incidenti për të moshuarën mori hov gjerësisht të mërkurën, pas publikimit të videos nga aktorja Kaltrinë Zeneli.

Siç shihet në pamjet e publikuara, një infermiere shihet vazhdimisht duke sulmuar të moshuarën, derisa një tjetër incizon të gjithë incidentin e një tallet me sulmin.

Tri infermiereve të dyshuara të përfshira në këtë rast, Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi – Gashi, iu është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Një ditë më parë Oda e Infermierëve të Kosovës ka bërë të ditur se të njëjtave ua ka tërhequr licencën.

VIDEO: Infermierja sulmon fizikisht një grua të moshuar në Pejë

/Telegrafi/

Exit mobile version