Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EOM), ka dalë me qëndrimet e saja sa i përket procesit zgjedhor në vend të mbajtur më 9 shkurt 2025.
Ky mision ka vlerësuar se zgjedhjet ishin të qeta dhe konkurruese me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.
“Dita e zgjedhjeve u menaxhua mirë falë përpjekjes kolegjiale të stafit të vendvotimeve, duke kapërcyer sfidat e shkaktuara nga vendimet e vonuara të KQZ-së. Përkundër vonesave në tabelimin e rezultateve, procesi i përgjithshëm demonstroi qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj parimeve demokratike”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga EOM.
Deklarata preliminare e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i ka kushtuar edhe një kapitull të veqantë mediave dhe mbulimit të fushatës zgjedhore nga to.
Ky mision thekson se mjedisi mediatik është dinamik por i fragmentuar i formësuar nga ndarjet etnike dhe sfidat institucionale.
Misioni përmend edhe qështjen e Komisionit të Pavarur të Mediave dhe ndryshimet që ndodhën në këtë institucion pak javë para zgjedhjeve.
“Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), përgjegjës për rregullimin dhe sanksionimin e mediave transmetuese, u bllokua për shkak të mungesës së kuorumit rreth tri javë para ditës së zgjedhjeve, duke mos mundur të sanksionojë 100 shkelje të mundshme të mediave dhe duke i lënë mediat në një paqartësi të zgjatur mes akuzave për ndikim politik. Transmetuesi publik RTK i përmbushi obligimet e tij ligjore dhe u ofroi të gjitha partive politike qasje të barabartë në kohë transmetimi falas dhe të sponsorizuar, pavarësisht sfidave siç janë bordi jofunksional dhe financimi i pamjaftueshëm”, thuhet në deklaratë.
Tutje theksohet se mbulimi i fushatës në mediat transmetuese u njollos nga shpifjet partiake, të cilat u përhapën në mediat online dhe rrjetet sociale.
“LVV bojkotoi tri media të njohura private, duke përmendur mbulimin e vazhdueshëm negativ të partisë dhe qeverisë. Kjo në kombinim me debatet e planifikuara që, për shkak të mungesës, shpesh përfshinin vetëm përfaqësues të një partie, kufizoi mundësinë e votuesve për të krahasuar drejtpërdrejt kandidatët kryesorë dhe për të bërë një zgjedhje të informuar”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se edhe “kanalet televizive private po ashtu u përpoqën të ofronin kohë të balancuar transmetimi për gjitha partitë dhe kandidatët”.
Sa i përket komunitetit serb, Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve thekson se ky komunitet kryesisht mbështetet në mediat transmetuese nga Serbia për lajme.
“Edhe pse transmetuesi publik RTK2 është i disponueshëm në të dhjetë komunat me shumicë serbe anembanë Kosovës dhe organizoi debate, shikueshmëria e tij e kufizuar i lë partitë opozitare joshumicë pa një kanal televiziv publik efektiv, duke lënë hapësirë minimale për fushatë, përveç mediave sociale. LS refuzoi të marrë pjesë në ndonjë debat të organizuar nga RTK2. Shumica e mediave online në gjuhën serbe e mbuluan fushatën, megjithatë TV Most dhe Kosovo Online u fokusuan pothuajse krejtësisht në aktivitetet e Listës Serbe”, thuhet në deklaratën preliminare të Misionit të BE-së. /Telegrafi/