Feja nuk mund të përdoret si pretekst për mosvaksinimin e fëmijëve.
Në këtë kohë të shpërthimit të fruthit dhe refuzimit të vaksinës nga shumë prindër, edhe të besimeve të ndryshme fetare, Komuniteti Mysliman u bën thirrje besimtarëve të mos ndërmarrin hapa ekstreme për jetën e fëmijëve të tyre.
Në Kuran dhe në librat e tjerë të shenjtë, thonë drejtues të këtij komuniteti, nuk citohet dhe as predikohet neglizhimi i mjekësisë.
Numri dy i Komunitetit Mysliman, Taulant Bica, garanton se në të gjitha medresetë dhe institucionet e tjera arsimore nën ombrellen e komunitetit, nuk ka fëmijë të pavaksinuar.
Ndërsa si baba i dy fëmijëve, nënkryetari i Komunitetit Mysliman tregon se nuk ka hezituar asnjëherë për vaksinimin e tyre.
Një ditë më parë, mjekët e konsultoreve kërkuan ndërgjegjësimin e prindërve refuzues për t’u bërë fëmijëve vaksinën e fruthit dhe gjithë të tjerat sipas kalendarit të detyrueshëm.
Ndërkohë, sipas IShP, rezulton se vetëm në Tiranë janë 13 mijë fëmijë të moshës 0-5 vjeç të pavaksinuar ndaj fruthit./A2 CNN