Miqësorja mes Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Uellsit ka marrë vëmendjen e mediave të mëdha botërore.
Së pari për shkak të pjesëmarrjes së Gareth Bale në këtë ndeshje përkundër dëshirës së Real Madridit, pastaj edhe pse aeroplani privat i 29-vjeçarit mund të aterojë në Tiranë.
Bale do të udhëtojë me skuadrën në aeroplanin e përbashkët, por është familja e mbrojtësit Chirs Gunter që pritet të zbarkojë në Shqipëri me aeroplanin privat 10.5 milionë eurosh.
Gunter në miqësoren e Elbasnit pritet të bëhet lojtari me më së shumti paraqitje për Përfaqësuesen e Uellsit dhe në këtë arritje ai dëshiron që të jetë pjesë edhe familja e tij.
“Do ta pyes Gaz (Balen) nëse mund ta huazoj aeroplanin tij. Shqipëria nuk është vend i lehtë për t’u arritur, por nëse tifozët e uellsit mund ta bëjnë, besoj se edhe unë mund të gjejë një mënyrë për të sjellë disa familjarë këtu”, ka thënë Gunter para paraqitjes së tij numër 93.
Në miqësoren e së martë në Elbasan pritet të udhëtojnë rreth dy mijë tifozë nga Uellsi.
Por, normalisht që stadiumi pritet të jetë i mbushur edhe nga tifozët shqiptarë pasi të shikosh Balen nga afër është një mundësi që nuk të vjen shpesh. /Telegrafi/