Telegrafi

Mbreti i Suedisë, mbreti i Belgjikës, presidenti i Konfederatës zvicerane dhe presidenti kroat urojnë Osmanin për Ditën e Pavarësisë

U.d. presidentja Vjosa Osmani, ka pranuar telegrame urimi për 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës nga mbreti i Suedisë Carl Gustaf R, mbreti i Belgjikës, Philipe Roi des Belges, presidenti i Konfederatës zvicerane Guy Parmelin dhe presidenti kroat Zoran Milanoviq.

Mbreti i Suedisë, Carl Gustaf R dhe ai i Belgjikës, Philipe Roi des Belges në telegramet e tyre kanë uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë.

Ndërkaq presidenti i Konfederatës zvicerane Guy Parmelin, duke përmendur marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet të të dy vendeve, ka shprehur kënaqësinë që ky bashkëpunim vazhdon të thellohet pavarësisht rrethanave të krijuara nga pandemia.

Presidenca njofton se edhe presidenti kroat, Zoran Milanoviq ka përmendur sfidat e shkaktuara nga pandemia, duke shfaqur gatishmërinë e shtetit të tij për ta mbështetur Kosovën në rrugën e integrimit evropian. /Telegrafi/