Mbretëria e Bashkuar po ndalon përdorimin e aplikacionit TikTok në telefona dhe pajisje të tjera të lëshuara për ministrat e qeverisë dhe nëpunësit civilë.
Ministri i Zyrës së Kabinetit, Oliver Dowden, iu tha deputetëve se aplikacioni do të ndalohej për arsye sigurie me efekt të menjëhershëm, transmeton Telegrafi.
Ai e përshkroi atë si një lëvizje “paraprake”, por “të matur”, pas një rishikimi nga Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike.
TikTok megjithatë ka mohuar me forcë akuzat se i dorëzon të dhënat e përdoruesve te qeveria kineze.
“Siguria e informacionit të ndjeshëm të qeverisë duhet të jetë e para”, deklaroi Dowden.
Por ai iu tha deputetëve se ndalimi nuk do të shtrihej në telefonat personalë të ministrave apo nëpunësve civilë, apo publikut të gjerë – sepse kjo ishte një përgjigje “proporcionale” ndaj një “rreziku specifik me pajisjet qeveritare”.
“Sidoqoftë, siç ndodh gjithmonë, ne i këshillojmë individët që të bëjnë kujdes në internet dhe të marrin parasysh politikat e të dhënave të çdo platforme të mediave sociale përpara se t’i shkarkojnë dhe përdorin ato”. /Telegrafi/