Mbretëria e Bashkuar po pret një takim të mbyllur të liderëve të lartë ushtarakë nga “koalicioni i vullnetarëve”, ndërsa ata hartojnë planet për një forcë paqeruajtëse të propozuar për Ukrainën.
Më shumë se 20 vende mendohet të jenë të përfshira.
Kryeministri Keir Starmer pritet të marrë pjesë të enjten pasdite pas vizitës së parë në Barrow, ku ai do të vendosë kabinën e një prej nëndetëseve të gjeneratës së ardhshme britanike të armatosura bërthamore.
Bëhet e ditur se planet për një forcë paqeruajtëse të udhëhequr nga Perëndimi për Ukrainën po kalojnë në një fazë operacionale.
Oficerët e lartë ushtarakë nga vendet që përbëjnë “koalicionin e vullnetarëve”, të udhëhequr nga Britania dhe Franca, do të diskutojnë se si do të funksiononte kjo në praktikë kur të mblidhen në selinë e Përhershme të Përbashkët të Mbretërisë së Bashkuar në Northwood.
Ministri i Forcave të Armatosura Luke Pollard tha se ata duan që koalicioni të jetë një “forcë e besueshme” që do t’i lejojë Ukrainës “të gëzojë një paqe të qëndrueshme” dhe “të rindërtohet dhe të riarmatoset”, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
“Vladimir Putin nuk do të ndalet nëse fiton në Ukrainë. Nëse ai nënshtron tërë Ukrainën – që është plani i tij dhe ka qenë për shumë vite – ai thjesht do të riarmatoset dhe do të shikojë se ku tjetër mund të zgjerojë ndikimin dhe dominimin e tij”, sipas Pollard.
“Kjo nuk është në interesin tonë si vend, sigurisht jo në interesin e miqve tanë evropianë”, shtoi ai/
Pollard tha se sigurimi i paqes në Ukrainë mund të nënkuptojë “disa çizme në terren”, por forca gjithashtu “do të ketë një tipar të fortë të forcave ajrore dhe detare”.
Por mbeten disa pengesa të mëdha.
Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se Moska nuk do të tolerojë praninë e asnjë trupe anëtare të NATO-s në Ukrainë, pavarësisht nga roli i tyre.
SHBA po ngurron gjithashtu për të siguruar mbulimin e nevojshëm ajror që anëtarët e mundshëm thonë se kanë nevojë. /Telegrafi/