(E PËRDITËSUAR) Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka sqaruar për disa përditësime të bëra për qytetarët britanikë lidhur me udhëtimet në Kosovë.
Në një deklaratë, ambasada ka theksuar se javën e kaluar qeveria e Mbretërisë së Bashkuar bëri një ndryshim të vogël në këshillat e mëparshme për udhëtimet, me qëllim që informacioni të bëhej më i qartë dhe më i lehtë për t’u kuptuar.
“Javën e kaluar, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar bëri një përditësim të vogël në këshillat tona të mëparshme për udhëtimet, për ta bërë informacionin më të qartë dhe më të aksesueshëm. Nuk ka asnjë ndryshim në zonën gjeografike për të cilën ne këshillojmë shmangien e udhëtimeve të panevojshme, dhe raportimet e mediave që pretendojnë ndryshe janë të pasakta”, njofton ambasada e Britanisë në Kosovë.
Ndryshe, sot është raportuar se Mbretëria e Bashkuar u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të shmangin udhëtimet në veri të Kosovës.
Kjo është bërë e ditur në një njoftim të lëshuar nga zyra e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, FCDO, për çfarë ambasada tha se ka bërë një përditësim të vogël në këshillat e mëparshme për udhëtimet. /Telegrafi/