Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të punojnë me Ukrainën për të hartuar një plan armëpushimi që do t’i paraqitet SHBA-së.
Bëhet e ditur se nisma vjen pas diplomacisë telefonike të Starmer me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe presidentin francez Emmanuel Macron – pas përplasjes së ashpër midis Zelenskyt dhe Trumpit në Zyrën Ovale të premten.
Starmer sugjeroi se “ndoshta disa të tjerë” mund të përfshihen në hartimin e planit të armëpushimit.
Ai po mirëpret 18 liderë nga Evropa dhe Kanada në Londër për bisedime mbi Ukrainën dhe forcimin e mbrojtjes evropiane, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Starmer e përshkroi nismën e tij si “një hap të rëndësishëm përpara” pasi lidhjet midis Kievit dhe Uashingtonit u tensionuan rëndë gjatë konfrontimit publik të së premtes midis presidentëve ukrainas dhe amerikanë.
“Askush nuk dëshiron që ky konflikt të vazhdojë, më së paku ukrainasit”, tha Starmer, duke shtuar se ai besonte se Trump ishte gjithashtu i përkushtuar për një “paqe të qëndrueshme” në Ukrainë.
I pyetur mbi detajet e planit të mundshëm të armëpushimit që mund të pranohet nga Trump, Starmer tha: “Kjo do të thotë se është rënë dakord për një linjë – kushtet e marrëveshjes – dhe më pas ajo linjë mbrohet”.
“Presidenti Zelensky është me të drejtë i shqetësuar se nëse do të ketë një marrëveshje, ajo duhet të mbahet. Kjo është arsyeja pse ne kemi folur gjerësisht se cilat janë garancitë – në çfarë mënyre ne të gjithë e mbrojmë marrëveshjen nëse arrihet ajo marrëveshje”, tha Starmer.
“Nëse do të ketë një marrëveshje, nëse do të ketë një ndalim të luftimeve, atëherë ajo marrëveshje duhet të mbrohet, sepse më e keqja nga të gjitha rezultatet është se ka një pauzë të përkohshme dhe më pas Putini vjen përsëri. Kjo ka ndodhur në të kaluarën, mendoj se ka një rrezik real”, vazhdoi britaniku.
Ndryshe, kryeministri britanik ka shprehur më parë hapur mundësinë e dërgimit të trupave britanike si pjesë e një kontigjenti të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë, por këmbëngul që SHBA të sigurojë garanci siguri për të penguar Rusinë nga thyerja e kushteve të armëpushimit.
Garancitë e sigurisë ka të ngjarë të jenë në qendër të diskutimeve midis liderëve evropianë dhe kanadezë gjatë samitit të së dielës në Londër.
Starmer tha se këto garanci ishin thelbësore pasi ai besonte se “ekziston rreziku që Putini të vijë përsëri nëse i jepet mundësia për ta bërë këtë”. /Telegrafi/