Dënimi i 109 vrasësve, 81 përdhunuesve dhe një burri i shpallur fajtor për të dyja krimet në gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar “nuk u kalua si informatë” te vendet e BE-së për shkak të një dështimi masiv të kompjuterit dhe mbulimit pasues, ka zbuluar The Guardian.
Rastet më të rënda janë midis një totali prej 112,490 dënimesh penale që nuk janë dërguar në kryeqytetet përkatëse të BE-së për një periudhë tetë-vjeçare për shkak të një defekti katastrofik kompjuteri, i cili disa kanë frikë se ka vënë në rrezik jetën e shumë njerëzve, shkruan ky medium, përcjell Telegrafi.
Skandali përfshin kryesisht shtetas të dyfishtë, të cilët dëbohen rrallë edhe pas dënimeve të gjata me burg, duke i lënë vendet anëtare të BE-së potencialisht “të verbër” nëse ata që janë dënuar për krime në Mbretërinë e Bashkuar kanë hyrë që atëherë në vendin e tyre.
Dhe një zbulim i tillë, vlerëson mediumi britanik, do të jetë shumë i turpshëm në një kohë kur forcat policore të Mbretërisë së Bashkuar shpesh mbështeten në vullnetin e mirë për bashkëpunim të vazhdueshëm në ndarjen e informacionit.
Zyrtarët vunë në dukje në vitin 2015 se sistemi ishte i prirur për gabime, me disa kriminelë të dënuar të regjistruar se vinin nga një vend i vogël në Oqeanin Paqësor të njohur si Ishulli Wake kur në të vërtetë ata jetonin në Wakefield, West Yorkshire.
Problemi u shkaktua nga kompjuteri kombëtar i policisë, një bazë e të dhënave e përdorur nga organizatat e zbatimit të ligjit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që operohet nga Ministria e Brendshme, e cila gjeneron çdo ditë skedarë të azhurnimeve më të fundit mbi dënimet.
Nëse një shkelës i huaj dënohet, atëherë Acro Criminal Records Office, një organ i Mbretërisë së Bashkuar përgjegjës për ndarjen e të dhënave ndërkombëtare të policisë, është ligjërisht i detyruar sipas ligjit të BE-së të lajmërojë policinë në vendin e kriminelëve të dënuar.
Por gjashtë vjet më parë, zyrtarët e kuptuan se kishte një problem serioz në sistem dhe paralajmëruan Ministrinë e Brendshme, shkruan më tej The Guardian. /Telegrafi/