Prania e qindra tifozëve dhe qytetarëve gjatë dy ditëve të kaluara në Shkup për shkak të ndeshjes së “UEFA Super Cup”, ka rritur mundësitë që të rritet numri të intervenimeve mjekësore. Por nga Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni njoftojnë se dy ditët e kaluara kanë kaluar në atmosferë të qetë dhe nuk ka pasur intervenime të shtuara mjekësore, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Sipas informatave nga ekipet kujdestare, gjatë mbrëmjes së djeshme të UEFA Superkupës, nuk ka pasur rritje të numrit të zakonshëm të ndërhyrjeve. Në Klinikën e Toksikologjisë nuk ka arritur asnjë pacient, në kujdesin emergjent nuk janë të regjistruara kolapse dhe vetëm një shtetas i huaj me krahun e thyer është transportuar në Klinikën për sëmundje kirurgjike ‘Shën Naumi i Ohrit'”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Gjithashtu nga Qendra Emergjente në kompleksin e klinikave informojnë se mbrëmja ka kaluar qetë dhe pa rritje të numrit të intervenimeve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë kjo gjendje tregon rritjen e ndërgjegjies së qytetarëve dhe respektimin e rekomandimeve shëndetësore./Telegrafi/