Delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), janë duke u mbledhur në sallën ku pritet të mbahet mbledhja e Kuvendit të IX Zgjedhor, për të zgjedhur të parin e kësaj partie.
Mirëpo, sipas pritshmërive se cili do ta marrë “timonin” e kësaj partie, thuhet që edhe njëherë do t’i prij kryetari aktual, Isa Mustafa.
Ndërkaq, në dy mbledhjet e mbajtura gjatë dy ditëve të kaluara, kryesia e LDK-së nuk ka arritur marrëveshje për një kryetar konsensual.
Ndërkohë, Kuvendi IX Zgjedhor i LDK-së do të mbahet me dyer të mbyllyra, ku mediat vetëm mund të marrin pamje në hyrje të hotelit ku mbahet ky Kuvend.
LDK-ja do të mjaftohet me konferencë për media pas punimeve të Kuvendit Zgjedhor.
“Më datë 3 gusht 2019, në orën 10:00, Lidhja Demokratike e Kosovës finalizon procesin zgjedhor, mban Kuvendin e IX Zgjedhor. Kuvendi mbahet në Emerald Hotel. Regjistrimi i pjesëmarrësve bëhet nga ora 09:00. Në pjesën hyrëse mediat mund të marrin pamje. Pas punimeve të Kuvendit, LDK mban konferencë për medie”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Kjo nuk është hera e parë që LDK-ja mbyll për media punimet në Kuvende Zgjedhore, pas atij që njihet tashmë si Kuvendi i karrigeve.
Në Kuvendin e kaluar, në maj të 2015-s, në të cilin probleme kishte pasur me Vjosa Osmanin të cilës i ishte mohuar kandidimi si dhe me Donika Gërvalla Schartz, mediat ishin larguar nga salla, në momentin që kishin nisur pakënaqësitë mes delegatëve për përfaqësim në Këshillin Drejtues të partisë.
Ndryshe, Isa Mustafa është zgjedhur kryetar i kësaj partie për herë të parë në vitin 2010, derisa kundër kandidat e kishte kryetarin e deriatëhershëm Fatmir Sejdiu. Ndërsa për herë të dytë është rizgjedhur në maj të vitit 2015.