Telegrafi

Mbledhja e dy qeverive, Kosova dhe Shqipëria takohen javën tjetër në Gjakovë

Mbledhja e ardhshme e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë pritet të mbahet më 14 qershor në Gjakovë.

Kështu bëri të ditur kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e ekzekutivit të mërkurën, i cili tha se kjo është mbledhja e tretë në më pak se dy vjet.

“Sot një javë do të jetë mbledhja e nëntë e përbashkët e Qeverisë tonë dhe Qeverisë së Shqipërisë, e treta në më pak se dy vjet. Kësaj radhe Gjakova do të na bashkojë e marrëveshjet që do të nënshkruajmë do të na afrojnë edhe më shumë”, deklaroi kryeministri kosovar, shkruan Telegrafi.

Ai tutje tha se në mbledhjet e deritanishme janë nënshkruar 41 marrëveshje bilaterale, ndërministrore dhe ndërinstitucionale.

“39 nga to kanë gjetur zbatim të plotë e dy të tjera janë në fazën finale të zbatimit. Duke pasur parasysh ndikimin pozitiv e të drejtpërdrejt që marrëveshjet e deritanishme kanë pasur në jetën e qytetarëve dhe bizneseve si dhe shkallën e lartë të zbatimit të tyre, në mbledhjen e radhës do të nënshkruajmë edhe disa të tjera në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe mbrojtjes”, u shpreh Kurti.

Ndër to që sipas tij ia vlen të përmendet është ajo për njohjen e ndërsjellët të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit në zgjedhjen e mosmarrëveshjeve./Telegrafi/