Pronarët e dy lokaleve në plazhin e Krorëzës në jug të Shqipërisë janë arrestuar nga policia, pasi hapësirën mes dy bizneseve të tyre e kishin shndërruar në një parcelë për mbjelljen e kanabisit.
Policia bën me dije se ka shpallur në kërkim dhe një bashkëpronar tjetër të një prej lokaleve, si dhe ka proceduar penalisht kamerierin, për moskallëzim të krimit.
Pronarët krahas kultivimit e përdorni ambientin e biznesit dhe si vend për shitjen e lëndës narkotike për turistët.
Policia ka sekuestruar një sasi kanabisi dhe municioni, si dhe ka djegur bimët narkotike të kultivuara.
“Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan shtetasit A. N., 28 vjeç dhe E. I., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë; u shpall në kërkim shtetasi K. V., 28 vjeç, banues në Himarë dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Th. M., 19 vjeç, banues në fshatin Piqeras dhe F. K., 25 vjeç, banues në Himarë”, njofton policia.
Po në të njëjtin plazh, efektivët kanë sekuestruar çadrat dhe shezlongët e një biznesi tjetër i cili nuk ishte i pajisur me lejen përkatëse.
“Në vijim të këtij operacioni, u konstatua se për llogari të një lokali tjetër, gjithashtu në plazhin e Krorëzës, ishte pushtuar hapësirë publike, me qëllim vënien e çadrave dhe shezlongëve, pa autorizim. Për këtë rast, u procedua penalisht administratori i këtij lokali, shtetasi F. K., si dhe u sekuestruan çadrat dhe shezlongët”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/