Koalicioni qeverisës, PDK – LDK, mund të mos mbijetojë deri në fund të mandatit të tij, rrjedhimisht deri në vitin 2018, sado që drejtues të dy partive thonë se kanë lidhur marrëveshje të fortë partneriteti.
Të dyja partitë thonë se do t’i bëjnë ballë edhe dy sfidave më të mëdha me të cilat po përballet vendi – Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas përfaqësuesve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) koalicioni nuk ka çarje dhe se bashkëpunimi është i duhuri.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se koalicioni qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike dhe partive të tjera është i qëndrueshëm.
“Si koalicion qeveritar jemi shumë stabil. Besoj se jemi një burim i stabiliteti në rrethanat në të cilat i kemi kaluar. Ajo çka na mungon sot çka duhet fuqimisht të bëjmë është përmirësimi i jetës së qytetarëve”, tha Veseli.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, njëherësh sekretar i përgjithshëm i LDK-së, tha se koalicioni qeverisës është duke funksionuar mirë dhe do të vazhdojë të qeverisë vendin deri në fund të mandatit.
“Nuk mund të them se ka çarje ose mosmarrëveshje. Nuk ka diçka të tillë. Sa i takon mendimeve dhe qëndrimeve janë mendime individuale për çështjet e caktuara. Qëndrimet e forumeve të partisë, të LDK-së, janë të qarta dhe janë ato që janë deri me tani dhe në këtë drejtim nuk ka ndonjë risi. Besoj se do të vazhdojë puna”, tha Beqiri për Radion Evropa e Lirë.
Me parë zyrtarë, deputetë të caktuar të LDK-së, e në disa raste edhe të atyre të PDK-së, kanë parashikuar prishjen e koalicionit për shkak të mungesës së unitetit për ratifikimin e Demarkacionit.
Kryetari i PDK-së, Veseli, tha se çështja e demarkacionit do të përfundojë dhe për kalimin e kësaj çështje duhet të ketë unitet politik.
“Duhet të ketë konsensus nacional, bashkë ta kalojmë këtë situatë në kuadër të sfidave të shtet formimit dhe sovranitetit të Kosovës”, tha Veseli.
Zyrtarët e koalicionit qeverisës kanë pranuar se për çështjen e ratifikimit të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi nuk kanë arritur që të sigurojmë votat e mjaftueshme në Kuvend.
Beqiri tha se kjo çështje nuk do të thotë se ka çarje të koalicionit qeverise.
“E vërteta është se gjerë me tani nuk është arritur të ketë një shumicë me shumë se sa dy të tretat e këtyre çështjeve që i përmendëm. Sido që të jetë, edhe kryeministri edhe të tjerët kanë vazhduar konsultimet dhe besoj se në një të ardhme do të sqarohen gjërat”, tha Beqiri.
Koalicioni qeverisës në Kosovë u arrit pas një periudhe prej gjashtë muajsh të bllokadës politike, kur vendi u fut në një krizë të thellë institucionale.
Të dyja partitë arritën marrëveshje në dhjetor të vitit 2014 dhe pas dy mandateve, Partia Demokratike i la postin e kryeministrit Lidhjes Demokratike të Kosovës.
PDK-LDK kishte një koalicion të mëhershëm që prej shpalljes së pavarësisë së vendit e deri në vitin 2010 kur Gjykata Kushtetuese vendosi se ish-presidenti Fatmir Sejdiu kishte bërë shkelje duke mbajtur dy poste, edhe atë të kryetarit të LDK-së.
Koalicioni u prish dhe vendi hyri në krizë politike, që u zgjodh në prill të vitit 2011. /rel/