Site icon Telegrafi

Mbijetesa e Qeverisë Kurti përmes pandemisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po synon që të vazhdojë punën me qeverinë e tij në detyrë deri në përfundimin e pandemisë së coronavirusit, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që ai dhe Lëvizja Vetëvendosje të propozojnë një emër të mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Presidenti Thaçi nuk ka treguar shumë mirëkuptim që të presë Vetëvendosjen deri në përfundimin e pandemisë për propozimin e emrit të mandatarit. Formimi i qeverisë së re, sipas kërkesës së presidentit Thaçi, është veprim i domosdoshëm pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit në kuvend ndaj qeverisë aktuale.

Analisti politik, Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht shumë paqartësive nuk beson që Qeveria Kurti mund ta vazhdojë mandatin deri në përfundim të pandemisë, përderisa askush nuk mund ta parashikojë se sa kohë mund të zgjasë kjo pandemi.

“Në një shtet normal, me politikanë të përgjegjshëm, përfundimi i pandemisë me një qeveri cilado që do të ishte ajo, nuk do të vihej fare në dyshim. Por, për fat të keq në Kosovë, me një klasë politike të papërgjegjshme për jetën e qytetarëve, një gjë e tillë nuk ndodh”.

“Unë pres që qeveria në detyrë ta përfundojë mandatin përpara se të përfundojë pandemia, gjithnjë duke e pas parasysh qëllimin e partive opozitare dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës që kjo të ndodhë sa më shpejt”, tha Mushkolaj.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, përmes deputetes Arbërie Nagavci, thotë se si parti fituese e zgjedhjeve emri i mandatarit për qeverinë e re do t’i dërgohet presidentit në momentin kur të krijohen rrethanat, që sipas saj, nënkupton përmirësimin e situatës me pandeminë e coronavirusit.

“Ne do t’i përgjigjemi letrës së presidentit sapo të krijohen kushtet për këtë dhe presidenti nuk ka asnjë të drejtë të bëjë presion mbi Lëvizjen Vetëvendosje sepse nuk i takon atij që t’i japë mandat tjetër dikujt, përveç fituesit të zgjedhjeve”, thotë Nagavci.


Duke iu referuar pretendimeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë pa Vetëvendosjen, Nagavci thotë se Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e përcaktojnë që mandati për formimin e qeverisë i takon vetëm partisë fituese të zgjedhjeve.

Qëndrimi i Vetëvendosjes dhe Kurtit që së pari të kalojë pandemia dhe më pastaj të kalohet në formimin e qeverisë, sipas shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi është tregues se kryeministri në detyrë e ka futur “vendin në krizë politike”.

“Kurti e ka futur vendin në krizë politike. Ai e ka obligim dhe duhet të provojë të krijojë shumicën parlamentare (për formimin e qeverisë) e nëse nuk donë të krijojë shumicë, kjo e drejtë duhet t’i kalojë dikujt tjetër”, tha Gashi pas takimit të Kryesisë së Kuvendit.

Një mundësi për zgjatjen e mandatit të Qeverisë Kurti, sipas analistit Imer Mushkolaj mund të gjendet te Gjykata Kushtetuese dhe procedurat të cilat shpesh marrin shumë kohë. Ai thotë se është e pritshme që Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, mund ta dërgojë në Kushtetuese çfarëdo vendimi për formimin e qeverisë, pa partinë fituese.

“Nëse do të kemi ankesa në Gjykatën Kushtetuese, atëherë për shkak të procedurave mund të ketë edhe zgjatje të jetës së kësaj qeverie deri në vendimet që do të mund t’i marrë ky institucion. Por, sërish nuk pres që ta zgjasë mandatin deri në përfundim të pandemisë, për shkak se të gjithë aktorët tjerë politikë janë të interesuar që kjo të mos ndodh”, thotë Mushkolaj.

Ndërkohë, Vigan Qorrolli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës thotë se presioni i presidentit Hashim Thaçit ndaj Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje për caktimin e mandatarit, është i paligjshëm.

Ai nuk sheh mundësi ligjore për formimin e qeverisë pa partinë fituese të zgjedhjeve, siç po pretendohet me nismën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

Përmes një shkrimi në Facebook, Qorrolli rikujton se Gjykata Kushtetuese në vitin 2014 kishte sqaruar se partisë politike ose koalicionit që ka fituar numrin më të madh të vendeve në kuvend, si rezultat i zgjedhjeve, t’i jepet mundësia të propozojë kandidatin për kryeministër për formimin e qeverisë.

Si rrjedhojë, e vetmja mënyrë kushtetuese që qeveria e re të bëhet pa fituesin e zgjedhjeve, sipas Qorrollit, është nëse partia fituese e zgjedhjeve dështon të marrë përsipër formimin e qeverisë, duke e shprehur atë edhe me shkrim pranë presidentit të Republikës.

Presidenti Hashim Thaçi i ka shkruar tri letra liderit të Vetëvendosjes, përkatësisht kryeministrit në detyrë, Albin Kurti përmes së cilave i ka kërkuar ta caktojë emrin e mandatarit për formimin e qeverisë. Por, në përgjigjet e Kurtit, kryesisht ka mbizotëruar qëndrimi se qeveria në detyrë duhet ta vazhdojë punën deri në përfundimin e pandemisë dhe më pas, vendi të shkojë në zgjedhje.

Bazuar në krejt këto paqartësi, njohësit e zhvillimeve politike presin që shumë shpejt çështja të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Qeveria e Kosovës, e formuar mbi bazën e koalicionit në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, u votua në kuvend më 3 shkurt. Por, ende pa i mbushur dy muaj, partitë nuk arritën të vazhdojnë koalicionin, çka u pasua me mocionin e mosbesimit, të ngritur nga Lidhja Demokratike te Kosovës dhe të votuar edhe nga opozita, më 25 mars, 2020.

Exit mobile version