Nga: Raymond Carver
Përktheu: Fadil Bajraj
Dikur në mes të 1960-ave, kuptova se kisha telashe për ta përqenduar vëmendjen në letërsinë artistike të gjatë narrative. Në atë kohë ballafaqohesha me vështirësi në përpjekje për ta lexuar si dhe në tentimet për të shkruar. Hapësira e vëmendjes sime më kishte braktisur; më s’kisha durim për të provuar të shkruaj romane. Është një histori e koklavitur, tepër e mërzitshme për të folur mbi të këtu. Ama e di se ka të bëj shume me atë se përse tani shkruaj poezi dhe tregime të shkurtëra. Hyr, dil. Mos ngurro. Vazhdo. Mund të ketë qenë se pata humbur çfarëdo ambicie të madhe po në atë kohë, në të njëzetat e mia të vonshme. Nëse e pata humbur, kujtoj se ka qenë mirë që kjo pat ndodhur. Ambicia dhe pak fat janë gjëra të mira për shkrimtarin që t’i ketë për të vazhduar më tej. Ambicia e tepërt dhe fati i keq, ose të mos kesh fat fare, mund të jetë shkatërruese. Duhet pasur edhe talent.
Disa shkrimtarë kanë talent me bollëk; nuk njoh ndonjë shkrimtar që i mungon talenti. Por mënyra unike dhe e saktë e të shikuarit të gjërave, dhe gjetja e kontekstit të duhur për të shprehur atë mënyrë të shikuarit, kjo është diçka tjetër. The World According to Garp është, natyrisht, botë mahnitëse sipas John Irvingut. Është edhe një botë tjetër sipas Flannery O’Connorit, dhe tjera botëra sipas William Faulknerit dhe Ernest Hemingwayit. Ka botëra sipas Cheeverit, Updiket, Singerit, Stanley Elkinit, Ann Beattiet, Cynthia Ozickut, Donald Barthelmet, Mary Robinsonit, William Kittredgeit, Barry Hannahut, Ursula K. LeGuinit. Secili shkrimtar i madh apo bile secili shkrimtar i mirë e krijon botën sipas specifikave të veta.
Është i përafërt me stilin, për atë mbi të cilën po flas, ama nuk është vetë stili. Është nënshkrimi i veçantë dhe i pagabueshëm i shkrimtarit në çdo gjë që shkruan. Është bota e tij dhe asgjë tjetër. Kjo është një ndër gjërat që e dallon një shkrimtar prej tjetrit. Jo talenti. Ka me bollëk këndejpari. Por një shkrimtar që ka mënyrë të posaçme e të shikuarit të gjërave dhe i cili i jep shprehje artistike asaj mënyre të të shikuarit: ai shkrimtar mund të jetë këndejpari për një kohë.
Isac Dinesen ka thënë se ajo shkruante përditë ngapak, pa shpresë dhe pa dëshpërim. Një ditë këtë do të vë në kartelën tri-me-pesë dhe do ta ngjes në murin pranë tavolinës sime. I kam disa kartela tri-me-pesë në mur tash. “Saktësia fundamentale e një formulimi është etika e PARË DHE MBRAMË e shkrimit.” Ezra Pound. Nuk është çdo gjë me ÇDO kusht, por nëse një shkrimtar ka “saktësi fundamentale të një formulimi” që vlen për të, ai së paku është në rrugë të drejtë.
E kam një kartelë tri-me-pesë atje lart me këtë fragment të një fjalie nga një tregim i Çekovit: “… dhe papritmas çdo gjë iu bë e qartë.” I shoh këto fjalë të mbushura me mrekulli dhe mundësi. Më pëlqen qartësia e tyre e thjeshtë, dhe aluzioni i zbulimit që nënkuptohet. Aty ka edhe mister, po ashtu. Çka ka qenë e paqartë më parë? Përse bash tash po bëhet e qartë? Çka ka ndodhur? Mbi të gjitha – çka tash? Ka pasoja si rezultat i zgjuarjeve të tilla të befta. E ndiej një ndjenjë të mprehtë të lehtësisë – dhe parashikimit.
E pata dëgjuar shkrimtarin Geoffrey Wolff duke u thënë “Pa truqe të lira” një grupi të studentëve të shkrimit. Kjo do të duhej të ishte në kartelën tri-me-pesë. Unë do ta përmirësoja këtë pakëz në “Pa truqe”. Dhe pikë. I urrej truqet. Në shenjën e parë të një truku apo dredhie në një pjesë të prozës, qoftë një truk i lirë apo bile edhe një truk i elaboruar, më shkon mendja ta lë librin. Truqet janë përfundimisht të mërzitshme, dhe unë mërzitem goxha kollaj, që mund të shoqërohet me hapësirën time të mangët për vëmendje. Por të shkruarit sentimental, që është në modë, me një zgjuarësi të jashtëzakonshme, ose apo të shkruarit e thjeshtë me nje budallallëk të kulluar, më vë në gjumë. Shkrimtarët nuk kanë nevojë për truqe e as për mashtrime dhe bile as nuk është e domosdoshme të jenë më të mençurit në lagje. Në rrezikun për t’u paraqitur i budallallosur, shkrimtari ndonjëherë ka nevojë të jetë i zoti sall të ngritet dhe të vështroj me habi këtë apo atë gjë – perëndimin e diellit apo një këpucë të vjetër – në çudi absolute dhe të thjeshtë.
Disa muaj më parë, në New York Times Book Review, John Barth tha se dhjetë vite më parë shumica e studentëve në seminaret e tij të shkrimit të prozës letrare qenë të interesuar në “novacionin formal”, dhe kjo më nuk duket se është ashtu. Ai është paksa i merakosur ngase shkrimtarët do të shkruajnë romane familjare në vitet 1980-të. Ai brengoset se eksperimentimi mund të jetë dalë mode, bashkë me liberalizmin. Bëhem paksa nervoz nëse e gjej veten në rrezen e dëgjueshmërisë së diskutimeve të zymta rreth “novacionit formal” në shkrimin fiktiv. “ Ekperimentimi” tepër i shpeshtë është leje për të qenë i pakujdesshëm, budalla ose imitues në shkrim. Bile edhe më keq, leje për të provuar ta brutalizojë apo tëhuajsojë lexuesin. Goxha shpesh shkrimi i tillë s’na sjellë kurrfarë risie, përveç se përshkruan një peizazh të shkretë dhe kjo është e tëra – disa duna dhe zhapinj aty këtu, por jo edhe njerëz; një vend i pabanuar me asgjë të njohur njerëzore, një vend me interes sall për ca specialistë shkencorë.
Do të duhej vënë në dukje se eksperimenti i përnjëmendtë në letërsinë narrative është origjinal, me mund i fituar dhe shkak për gëzim. Por mënyra se si dikush tjetër i shikon gjërat – për shembull, ajo e Barthelmeit – nuk do të duhej të ndiqej nga shkrimtarë të tjerë. Askush s’do t’ia dilte mbanë. Është sall një Barthelme, dhe për ndonjë shkrimtar tjetër që do të orvatej ta përvetësonte ndjeshmërinë e veçantë të Barthelmeit apo inskenimin nën rubrikën e novacionit është për atë shkrimtar sikur të merrej me kaos dhe katastrofë dhe, bile ç’është më e keqja, me vetëmashtrim. Ekperimentuesit e njëmendtë do të duhej ta Bënin Të Ri, siç nxiste Pound, dhe në proces do të duhej të zbulonin gjëra për vete. Por nëse shkrimtarët nuk kanë hequr dorë nga ndjenjat e tyre, ata po ashtu kërkojnë të mbesin në lidhje me ne, ata kërkojnë të bartin të rejat nga bota e tyre në botën tonë.
Është e mundur, në një poezi apo në një tregim të shkurtër, të shkruhet mbi gjërat e rëndomta dhe objektet duke përdorur të rëndomtën, por me gjuhë precize, për t’i pajisur ato gjëra – karrigën, perden e dritares, pirunin, gurin, vëthin e femrës – me fuqi të pamatshme, bile tronditëse. Është e mundur për të shkruar një rresht të një dialogu sa për sy të padëmshëm dhe t’i fusësh dridhmën lexuesit – burim i kënaqësisë artistike, siç do të thoshte Nabokov. Ky është ai lloj shkrimi që më intereson më së shumti. E urrej të shkruarit shkel-e-shko ose kuturu, edhe po qe se valon nën flamurin e ekperimentimit ngase ai s’është gjë tjetër përveç se realizëm i paraqitur me ngathtësi. Në tregimin e mrekullueshëm të shkurtër të Isaac Babelit, “Guy de Maupassant,” narratori e thotë këtë mbi të shkruarit e prozës: “S’ka kobure që do të mund ta shponte zemrën ma fuqishëm se sa pika e vënë në vendin e duhur.” Kjo po ashtu do të duhej të futej në kartelën tri-me-pesë.
Evan Connell dikur pat thënë se e dinte se kishte hequr dorë nga tregimi i shkurtër kur e kishte vërejtur se po merrej me të sërish dhe duke ia hequr presjet dhe pastaj prapë duke e rishikuar atë tregim dhe duke i kthyer prapë presjet në vendet e njëjta. Më pëlqen ajo mënyrë e punës në ndonjë gjë. E respektoj atë lloj të kujdesit për atë që është duke u bërë. Kjo është e gjitha që kemi, përfundimisht, fjalët, dhe ato më mirë të jenë ato të duhurat, me shenja të pikësimit në vendet e duhura kështu që ato më së miri do të mund ta thoshin atë që do të duhej thënë. Në qoftë se fjalët janë të rënda me emocione të papërmbajtura të vetë shkrimtarit, ose po qe se ato janë të pasakta dhe të gabuara për ndonjë arsye tjetër – nëse fjalët në ndonjë mënyre janë të paqarta – sytë e lexuesit do të bien bash mbi to dhe asgjë s’do të arrihet. Thjesht vetë sensi artistik i lexuesit, nuk do të angazhohet. Henry James e quajti këtë lloj shkrimi të pafat “specifikim i dobët”.
Kam miq që më kanë thënë se duhet të nxitojnë librin për shkak se kishin nevojë për para, ngase redaktori i tyre apo gratë e tyre mbështeteshin në ta apo i ishin duke i braktisur – diçka të tillë, ndonjë shfajësim për shkak se të shkruarit nuk u dilte aq i mirë. “Do të kishte qenë më i mirë po të mos kisha nxituar.” Isha pata mbetur me gojë të hapur kur e dëgjova një mik timin romancier të ma thotë këtë. Ende jam, nëse mendoj në të, ama nuk mendoj më. S’më përket mua të merrem me të. Por në qoftë se shkrimi s’mund të dal po aq i mirë siç është brenda nesh, atëherë përse të merremi me të? Tekembrama, kënaqësia e dhënies së maksimumit, dhe dëshmia e asaj pune, është e vetmja gjë që mund ta marrim në varr. Doja t’i thosha mikut tim, pashë zotin merru me diç tjetër. Ka mënyra më të kollajshme dhe mbase edhe më të ndershme për ta fituar kafshatën e gojës. Përndryshe sall bëje më së miri që di me aftësitë tua, me talentet tua, dhe pastaj as mos arsyeto as mos justifiko. Mos u anko, mos shpjego!
Në një ese të quajtur, mjaft thjeshtë, “Të shkruarit e tregimeve të shkurtëra”, Flannery O’Connor flet mbi shkrimin si një për një akt zbulimi. O’Connory thotë se më së shpeshti nuk e ka ditur se nga po shkonte kur ulej për të punuar në ndonjë tregim të shkurtër. Ajo thotë se dyshon se shumë shkrimtar e dinë se nga po shkojnë kur zënë të shkruajnë diç. Ajo përdor “Fshatarët e mirë” si një shembull se si e ka shkruar tregimin e shkurtër mbarimin e të cilit as që e kishte hamendësuar gati deri sa kishte pas mbërrirë aty:
Kur ia pata filluar të shkruaj atë tregim, nuk e dija se do të ishte një Ph.D. me këmbë druri në të. Thjesht e gjeta veten një mëngjes duke shkruar një përshkrim të dy grave që dija diç mbi to, dhe para se ta kuptoja atë, e pata pajisur njërën me një bijë me një këmbë. E futa edhe shitësin e Biblës, por nuk kisha ide se çfarë do të bëja me të. Nuk e dija se ai do ta vidhte atë këmbë prej druri deri në dhjetë apo dymbëdhjetë rreshta para se ai ta bënte këtë, ama kur e zbulova/kuptova se kjo është që do të ndodhë, e kuptova se është e paevitueshme.
Kur e pata lexuar këtë para disa vitesh u pata tronditur me të, apo me cilindo, që ka shkruar tregime në këtë mënyrë. Kujtoja se kjo ishte fshehtësia ime e sikletshme, dhe isha paksa i shqetësuar me të. Me siguri kujtoja se mënyra e të punuarit në një tregim të shkurtër disi nxirrte në shesh të metat e mia. Më kujtohet të kem qenë i inkurajuar pa masë duke e lexuar atë që ajo kishte të thënë mbi këtë subjekt.
Një herë u pata ulur të shkruaja atë që doli tregim i bukur i shkurtër, sado që sall fjalia e parë e tregimit m’u pat ofruar vetvetiu kur ia pata filluar. Disa ditë me radhë sillesha me atë fjali në kokë: “Ai fshinte me fshesë elektrike kur cingëroi telefoni.” E dija se tregimi ishte aty dhe se kërkonte të thuhej. E ndieja në eshtrat e mi, ai tregim i përkiste atij fillimi, po qe se do të kisha sall kohë ta shkruaja. Gjeta kohë, një ditë të tërë – dymbëdhjetë, bile edhe pesëmbëdhjetë orë – nëse do të doja ta shfrytëzoja. Ashtu veprova, dhe u ula në mëngjes dhe shkrova fjalinë e parë, ndërsa fjalitë tjera sakaq zunë vetvetiu të bashkangjiten. E shkrova tregimin po ashtu si do ta shkruaja poezinë; një varg dhe pastaj tjetrin, dhe tjetrin. Bukur shpejt mund ta shihja tregimin, dhe e dija se ishte tregimi im, ai të cilin unë doja ta shkruaja.
Më pëlqen kur ka njëfarë ndjenje të kërcënimit apo sens të rrezikut në tregimet e shkurtëra. Mendoj që tregimi duhet të ketë njëfarë rreziku të vockël. Në mos për asgjë, është mirë për qarkullim. Duhet të ketë tension, sens se diçka pritet të ndodhë, se ca gjëra të caktuara janë në lëvizje të pandërprerë, përndryshe, pa këto shpesht, aty s’do ketë kurrfarë tregimi. Ajo që krijon tensionin në një pjesë të tregimit është pjesërisht mënyra se si fjalët konkrete janë të lidhura së bashku për të krijuar aksionin e dukshëm të tregimit. Por po ashtu ka edhe gjëra që kanë mbetur jashtë, të cilat nënkuptohen, peizazhi nën sipërfaqen e lëmuar (por ngandonjëherë të thyer dhe të parregulluar) të gjërave.
Definicioni i V. S. Pritchettit mbi tregimin e shkurtër është “pamja që e zë me bisht të syrit, kalimthi.” Vini re “pamja e zënë me bisht të syrit” si pjesë e kësaj. Së pari pamja e zënë me bisht të syrit. Pastaj pamjes së cilës i është dhënë jeta, e shndërruar në diçka që iluminon momentin dhe që mund, po qe se kemi fat – prapë ajo fjalë – të ketë konsekuenca dhe domethënie që vazhdon mëtej. Detyra e shkrimtarit të tregimeve të shkurtëra është të investoj në pamjen e zënë kalimthi me gjithë atë që është në fuqinë e tij. Ai do të sjellë intelegjencën dhe shkathtësinë e tij për ta bartur (talentin e vet), sensin e tij të proporcionit dhe ndjenjën e përshtatshmërisë së gjërave: se si gjërat në të vërtetë janë dhe se si ai i sheh ato – si askush tjetër. Dhe kjo është bërë nëpërmjet përdorimit të gjuhës së pastër dhe specifike, gjuhës së përdorur ashtu që të sjellë në jetë detajet që do ta ftillojnë tregimin për lexuesin. Që detajet të jenë konkrete dhe që të kenë kuptim përcjellës, gjuha duhet të jetë e saktë dhe të jepet në mënyrë sa më precize. Fjalët mund të jenë aq precize ashtu që ato bile edhe do të mund të tingëllojnë monotone, ama ato ende mund të jenë funksionale; nëse përdoren me mend, ato mund të zënë vend. /Telegrafi/