Site icon Telegrafi

Mbi Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Shumica po pajtohen për diagnozën: korrupsion, shtet i kapur, privatizim i pronës e parasë publike dhe nepotizëm. Të gjitha partitë politike, pa dallim, ngarendin që të japin ide se si te luftohen këto epidemi shoqërore. Por, të gjitha këto, përveç njërës, ishin në pushtet këto 20 vjetet e fundit dhe janë drejtpërdrejt përgjegjëse. Rrjedhimisht, edhe oferta se ata janë ilaçi i epidemive që ata vetë krijuan, tingëllon e rrejshme.

Shkruan: Armend Bekaj

Mendoj qe Lëvizja VETËVENDOSJE ka ofertën me kredibile në këto zgjedhje. Besoj që duhet t’u jepet mundësia që të praktikojnë atë qe e ligjërojnë.

Qeverisja e tyre do të ofronte mundësi për luftimin e disa dukurive që për mua janë prioritare dhe parakusht për zhvillim në ekonomi e në pjesë të tjera, si: zaptimi i shtetit – të luftohet privatizimi i shtetit dhe trajtimi i institucioneve si bahçe e babës; oligarkia/monopoli i pasurisë – duhet shprishur formula që ka çuar ne monopolizimin e ekonomisë së tregut në duart e 5 apo 10 individëve dhe familjeve te tyre, derisa shumica dërrmuese e shoqërisë jeton në varfëri; sundimi i ligjit – i duhet dhënë përkrahje të jashtëzakonshme sistemit gjyqësor, ndërsa politika duhet të sigurohet që të qëndrojë larg çfarëdo ndërhyrje, luftë e pakompromis ndaj hajnisë e korrupsionit.

Në këto pika dhe jo vetëm, Lëvizja VETËVENDOSJE gëzon kredibilitet dhe ka mundësi që të shënojë rezultate konkrete. Në këtë situatë ku është Kosova, këto janë disa parakushte të domosdoshme për avancim edhe në fusha tjera. Është koha e tyre. Për partitë që mbesin në opozitë, kjo do të ishte edhe në të mirën e tyre, se do të jetë mundësi e mirë për rikëndellje brendapartiake.
Fundi i bashkëbisedimit

Exit mobile version