93,5 për qind e maqedonasve janë kundër idesë së dygjuhësisë në të gjithë vendin, kjo sipas një sondazhi të fundit të Institutit “Pavel Shatev”. Pyetja “A e mbështesni idenë e dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë dhe marrëveshjes së re kornizë për më shumë të drejta të shqiptarëve?”, Vetëm 4.9 përqind e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht (Nuk ka të anketuar me kombësi shqiptare), përcjell Telegrafi Maqedoni nga TV Alfa.
Pothuajse rezultat identik është marrë edhe në lidhje me pyetjen “A do t’i mbështesni në këto zgjedhje partitë që janë për konceptin e dygjuhësisë në të gjithë Maqedoninë dhe Marrëveshjen e re kornizë? Gjithsej prej 93.1 përqind e të anketuarve ishin të bindur se nuk do të mbështesin një parti të tillë, ndërsa 4.8 përqind kanë thënë se do të mbështesin.
28.9 përqind e të anketuarve thanë se nuk do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa 13.9 përqind thanë se ende nuk e dinë për kë do të votojnë.
Sondazhi është kryer me anë të telefonit në mes të 30 nëntorit dhe 2 dhjetorit, me 1,090 të anketuar. Hulumtimi ka përfshirë të gjitha gjashtë zonat zgjedhore, dhe poashtu është bërë një ndarje edhe me zonat rurale dhe urbane të banimit, si dhe karakteristikat demografike të popullsisë, duke përfshirë gjininë dhe moshën. Qyteti i Shkupit është marrë si një target i veçantë. /Telegrafi/