Hyrjet, daljet, madje lëvizja në shtetin e Kosovës me targat ilegale që lëshohen nga Serbia do të jenë të mundura vetëm deri më 1 dhjetor të këtij viti.
Qeveria e Kosovës i ka dhënë kohë shtesë komunitetit serb që posedojnë këto targa t’i zëvendësojnë ato nga 1 nëntori deri më 1 dhjetor.
Kjo pasi interesimi për të bërë këtë veprim sipas institucioneve ka qenë shumë i madh.
“Mirëpresim vullnetin e shtuar së fundmi nga qytetarët tanë të komunitetit serb për konvertimin e tabelave nga ato ilegale në RKS me synim ligjshmërinë. Numri i qytetarëve të cilët kanë konvertuar targat e tyre nga ilegale në RKS është 805, ku Komuna e Mitrovicës së Veriut ka pasur numrin më të madh deri më sot”, thotë Ministria e Punëve të Brendshme.
E Ministria e Punëve të Brendshme i ka treguar RTV Dukagjinit që deri më tani mbi 800 qytetarë serbë kanë larguar targat ilegale për t’i zëvendësuar me ato të ligjshmet.
Interesimin e serbëve për të konvertuar targat në RKS fillimisht e kishte vërejtur Policia e Kosovës.
“Prej prillit të këtij viti e deri më sot, sa jam unë në këtë pozitë, në vazhdimësi kemi pranuar pyetje nga qytetarët serb në pikat tona të kontrollit apo gjatë punëve të përditshme. Këtë interesim të tyre ne e kemi përcjellë te institucionet tona”, ka deklaruar Veton Elshani nga Policia e Kosovës.
Pas këtij vendimi të Qeverisë u raportua që Lista serbe kishte bërë thirrje për protesta, por që sipas analistit serb Branisllav Kërstiq kjo parti politike më nuk e ka kredibilitetin t’i përfaqësojë serbët.
“Tashmë kemi një situatë krejtësisht të ndryshme dhe është shumë e natyrshme që serbët më nuk i japin kredibilitetin Listës Serbe. Serbët janë të gatshëm dhe madje duke pritur në kolona që të shkojnë t’i ri regjistrojnë veturat e tyre”, deklaroi Kërtiq.
Të gjithë pronarët e veturave me akronimet PR, KM, PZ, GL, UR, PE, DA apo GA për konvertimin e tyre në ato RKS, sipas vendimit të Qeverisë do të kenë edhe përfitime financiare gjatë procesit të konvertimit.