Shtatëdhjetë e tre për qind e rusëve mendojnë se gjendja ekonomike gjatë vitit aktual do të jetë e tensionuar.
Kështu thuhet në raportin më të ri të Qendrës ruse për Hulumtime “Levada Center”, duke shtuar se, vetëm 17 për qind e respondentëve mendojnë se do të jetë e qetë.
Sipas kësaj qendre, në hulumtimin e bërë nga data 18 deri 20 dhjetor 2020, një nga dhjetë rusë, nuk e dijnë se si do të jetë gjendja.
“73 për qind e rusëve janë përgjigjur se gjendja ekonomike për vitin 2021 do të jetë e tensionuar, kurse 17 prej tyre thonë se do të jetë e qetë. 10 për qind nuk e dijnë se si do të jetë”, thuhet në hulumtim, përcjell Telegrafi.
Nga llogaritjet e viteve të kaluara, gjithnjë e më shumë rusë thonë se gjendja e tyre po përkeqësohet.
Në vitin 2016, mbi 80 për qind e rusëve ishin përgjigjur se gjendja ekonomike në vend po tensionohet. Kjo gjendje e tyre, po vjen nga fakti se pas aneksimit të Krimesë, vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë.
Ditë më parë, një kontraktor norvegjez në “Nord Stream II” ka refuzuar të mbështesë projektin e tubacionit të gazit të drejtuar nga Gazpromi rus.
Det Norske Veritas – Germanischer Lloyd (DNV GL), i cili është i ngarkuar me procedurat e verifikimit, konfirmoi se ka ndaluar punën në gazsjellës.
Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosen sanksione ndaj kompanive që nuk hoqën dorë nga projekti i “Nord Stream II”.
Si dhe SHBA-ja ashtu dhe Polonia e Ukraina janë kundër ndërtimit, duke thënë se projekti do t’i japë Moskës një avantazh mbi Gjermaninë. /Telegrafi/