Site icon Telegrafi

Mbi 500 toptha të farave të drunjve hidhen nga ajri përmes dronit në majën e Butocit në Prishtinë

Bertina Makolli, nxënëse

Mbi 500 toptha të mbushura me fara të drunjve janë hedhur nga një dron në majën e Butocit në Komunë të Prishtinës, në kuadër të projektit Green Wings nga Sustainability Leadership Kosova.

Pjesë e këtij projekti janë edhe nxënësit e shkollave “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë dhe “Shkolla e Gjelbër”, në Prishtinë.

Bertina Makolli nga shkolla “Mihal Grameno” (aneksi 2) tha se këto toptha i kanë përgatitë javën në kaluar.

Ajo tregoi se topthat përmbajnë argjilë, zall dhe fara të bimëve të drurit.

“I përmbajnë përafërsisht pesë-gjashtë fara, por vetëm një mbin dhe shpërndahen me anë dronit në zona ku njeriu nuk mund të arrijë”, tha Makolli.

Bertina Makolli, nxënëse

Edhe Natyra Berisha nga “Shkolla e Gjelbër” theksoi se sa shumë e rëndësishme është që të kenë një ambient të gjelbër.

Natyra Berisha, nxënëse

“Të kemi një mjedis të pastër, ajrin e pastër dhe na ofron më shumë gjelbërim për vendin tonë”, u shpreh Berisha.

Ndërsa, nxënësja Anisa Ahmeti nga “Shkolla e Gjelbër” e përkrah idenë e ri-mbjelljes së drunjve, pasi siç tha “mjedisi viteve të fundit ka qenë shumë i shkatërruar”.

Anisa Ahmeti, nxënëse

Antigona Limani, përfaqësuese e bankës Raiffeisen në Kosovë ka thënë se janë të përkushtuar në përkujdesjen ndaj planetit dhe janë krenarë që janë mbështetës të kësaj nisme nën patronatin e Sustainability Leadership Kosova.

Antigona Limani, përfaqësuese e Bankës Raiffeisen në Kosovë

“Ky projekt përputhet në mënyrë të përsosur me angazhimin tonë për përgjegjësi sociale dhe qëndrueshmëri mjedisore.

Green Wings përfaqëson më shumë se thjesht ripyllëzim. Bëhet fjalë për rikthimin e ekuilibrit ekologjik dhe përforcimin e biodiversitetit, duke përdorur teknologjinë inovative të dronëve për të ‘mbjellë të ardhmen’”, ka thënë ajo.

Edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se janë të fokusuar për transformim të kryeqytetit.

“…Por, jo të vetëm zonës urbane, por gjithë komunës të kryeqytetit edhe të jemi shembull për gjithë Kosovën e regjionin në aspektin ambiental. Green Wings, projektin të cilin jemi duke e bë së bashku me Sustainability Leadership Kosova edhe me partnerët tjerë, si USAID edhe me ‘Raiffeisen Bank’ e partnerë të tjerë privatë, të cilët i falënderoj shumë që po e ndihmojnë këtë iniciativë fantastike, ka të bëjë me një teknologji të re, me një teknologji inovative… Japonezët, faktikisht, e kanë pas këtë teknologji me shumë vite, edhe ato vendosen nëpër drona, kështu që lëshohen sikur zogjtë që i shkojnë farat nëpër natyrë dhe bëhet mbjellja e drunjve, e luleve të ndryshme e tjera… Po ashtu, kjo teknologji na mundëson pra që nëpërmjet dronave të bëjmë mbjelljen e drunjve edhe nëpër pjesë, të cilat ndoshta është vështirë me mbërri në këmbë. E, në këtë mënyrë, po them që i ndihmojmë gjithë ambientit”, u shpreh ai.

Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës

Tutje Rama po ashtu përmendi edhe disa projekte që janë duke i kryer përmes teknologjisë inovative.

“Tash me teknologjinë e re dhe nëpërmjet inteligjencës artificiale, nëpërmjet programimit të dronave, projektet tona madhore, siç po i bëjmë për shembull rruga ‘Gjim Gjema’, që jemi duke e bë në anë në pjesët anësore e përdorim teknologjinë e dronit për me mbjellë një numër të madh të drunjve.

Po ashtu, unazën e kryeqytetit, edhe projektet tjera madhore, si fshati olimpik, pra të gjitha zonat të cilat ju mungon ndoshta një pyllëzim apo një gjelbërim i mirëfilltë tash me këtë teknologji mundemi në mënyrë shumë më të lehtë, më të shpejtë edhe më të lirë ta bëjmë atë që edhe e kemi në plan”, ka thënë Rama.

Ndërsa, Indira Kartallozi nga Sustainability Leadership Kosova tregoi se nga ka ardhur ideja e këtij projekti.

Indira Kartallozi nga Sustainability Leadership Kosova

Ajo tha se ideja është ngritur nga shqetësimi që kanë për humbjen e pyjeve.

Gjatë këtyre 22 viteve kemi humbur gati mbi dy hektarë pyje në ditë. Kjo ka qenë motivimi kryesor. Gjithashtu, ideja është që si mund të përdorim teknologjinë për me i trajtu disa probleme ambientale.

Në këtë rast e kemi shpyllëzimin që është problem masiv, mirëpo jo vetëm në Kosovë, por edhe globalisht, mirëpo mandej edhe gjejmë mënyra të mençura me teknologji më të përsosuna se si mund të zgjidhim problemin në mënyrë të shpejtë dhe efikase. Për atë arsye kemi këto topthat e farave, të cilat kemi kriju me dorë dhe këto futen mandej në pajisjet që i bashkohet dronit agrikulturor, është dron specifik që mundet me i bartë këtu”, ka thënë ajo.

Edhe Ben Toric, nga Kosovo Adapt Activity theksoi se sa i rëndësishëm është ky projekt.

Ben Toric nga Kosovo Adapt Activity

“Në fakt është i shkëlqyeshëm sepse kemi një partneritet të shkëlqyer. Ne kemi një bankë në këtë iniciativë, Raiffeisen Bank, kemi Komunën e Prishtinës, organizatën ndërkombëtare USAID,… si dhe natyrisht, të gjitha këto po zbatohen nga organizata Sustainability Leadership Kosova. Si partneritet, kjo është e mahnitshme.

Por, për sa i përket ndikimeve, për ne kjo është vërtet e rëndësishme, sepse si një projekt që trajton ndryshimet klimatike, adaptimet dhe reduktimet, ky aktivitet pjesërisht ndihmon në të dyja mënyrat. Ndihmon në ‘reduktimin e rrezikut’, sepse pyjet ndihmojnë për menaxhimin e ciklit të ujit për reduktimin e ‘erozionit të erës, erozionit ujor’, për mbajtjen e tokës të qëndrueshme, që të mos ketë rrëshqitje toke”, ka thënë Toric. /Telegrafi/ 

Exit mobile version