Ministri i Mjedisit, Planifikimit Urban dhe Ndryshimeve Klimatike i Turqisë, Murat Kurum tha se 50.576 ndërtesa të dëmtuara duhet të prishen në zonat e goditura nga tërmeti.
Sipas rezultateve të vlerësimit të dëmeve, qeveria ka inspektuar 387,346 ndërtesa në 10 provincat e vendit dhe 279,655 prej tyre janë ndërtesa të dëmtuara lehtë ose jo të dëmtuara, tha ai, shkruajnë mediat turke, përcjell Telegrafi.
“Do të prishim shpejt atë që duhet të prishet dhe do të ndërtojmë ndërtesa të sigurta”, citohet të ketë thënë më tej ministri.
Ndryshe, vdekjet e konfirmuara në Turqi nga fatkeqësia e javës së kaluar tashmë kanë tejkaluar numrin e regjistruar nga tërmeti masiv i Erzincanit në vitin 1939.
Siç shkruajnë mediat turke, 35,418 vdekjet e raportuara tashmë kanë tejkaluar ato të regjistruara nga tërmeti masiv i Erzincanit në vitin 1939 që vrau rreth 33,000 njerëz.
Ndërkohë në fjalën e tij, presidenti Recep Tayyip Erdogan tha gjithashtu se ka nevojë për zbatim më të rreptë të rregulloreve të ndërtimit në vend.
Në Sirinë fqinje, numri i vdekjeve arriti në 5,814, sipas shifrave të fundit, duke e çuar numrin total të vdekjeve nga të dy vendet në mbi 41,232. /Telegrafi/