Ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG Sabina Eder nënshkruan marrëveshjen për kredi në vlerë prej 5 milionë e 349 mijë euro për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në komunën e Podujevës.
Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se institucionet e Austrisë po ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.
“Marrëveshja kap shumën prej 5 milionë e 349 mijë euro dhe është me kushte jashtëzakonisht të volitshme. Kanë grejs periudhë dhe afat të maturimit që prioritet të kthehen për më shumë se 11 vite. Projekti do të zhvillohet në komunën e Podujevës… Shumë shpejt presim që të ketë marrëveshje të tilla për komunën e Ferizajt, Istogut, Graçanicës dhe Shtimes”, tha Hamza.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pflander u shpreh i lumtur me arritjen e kësaj marrëveshje, me ç’rast tha se pret që gjithçka të shkojë sipas planeve dhe sipas rregullave.
“Marrëveshja për huan e vënë mes Kosovës dhe Austrisë është në procedurë tash e disa vite. Dhe tani po i zbatojmë dy aspekte të saj. Sot po futemi në fazën e dytë me projektin që po fillon në Podujevë. Ne gjithmonë themi se duam që gjithçka të shkojë sipas rregullave dhe që t’u përmbahemi të gjitha rregullave dhe ligjeve të Kosovës. Për ne kjo është një marrëveshje e rëndësishme midis dy vendeve dhe shpresoj që do të kemi implementim të shpejtë të projekteve që janë në punë e sipër. Dhe ne do të shohim edhe marrëveshjet e tjera që mund t’i arrijmë. Por tani me këto skema që kanë mjaft avantazhe ne besojmë se do të zhvillojmë jo vetëm zhvillimin e infrastrukturës por zhvillimin ekonomik”, tha ai.
Sabina Eder, drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG, tha se Banka e Austrisë është krenare që është pjesë e kësaj nisme, sepse në njëfarë mënyre i sjellë më afër Kosovën dhe Austrinë.
“Jam sot në Prishtinë për të nënshkruar marrëveshjen për të siguruar trajtimin e ujërave të zeza për qytetin e Podujevës. Kjo formë e kreditimit është e mbështetur dhe garantuar nga Austria dhe është e lidhur me eksportet austriake. Dhe qëllimi është që të zhvillohet vendi, në këtë rast Republika e Kosovës. Dhe kjo është marrëveshja e parë, pasi që pritet të vazhdojnë edhe të tjera të tilla Banka e Austrisë është krenare që është pjesë e kësaj nisme, sepse në njëfarë mënyre i sjellë më afër Kosovën dhe Austrinë”, tha ajo.
Agim Veliu tha se projekti përfshinë gjithë territorin e komunës së Podujevës, lumin Llap, të Dumnicës dhe Batllavën.
“Jemi një hap afër përmbylljes së këtij procesi, sepse pas nënshkrimit marrëveshja duhet të kalojë në Kuvend… Sigurisht përfituesit më të mëdhenj të këtij projekti janë qytetarët e Podujevës, do të përfitojnë ata dhe do të krijohen kushte për zhvillim më të mirë dhe trajtim më të mirë”, tha Veliu. /Telegrafi/