Site icon Telegrafi

Mbi 40 vjet punë si mësimdhënëse e anglishtes, Loshaj-Kastrati tregon dashurinë për arsimin dhe edukimin e nxënësve

Dita e Mësuesit – 7 Marsi dhe Dita Ndërkombëtare e Gruas – 8 Marsi në Kosovë shënohet me organizime të ndryshme festive. Përpos mirënjohjes dhe dhuratave të shumta që marrin nga nxënësit, gratë mësimdhënëse marrin falënderime nga fëmijët dhe bashkëshortët e tyre, për mundin dhe sakrificën që bëjnë.

Profesoresha e gjuhës angleze, Nurije Loshaj Kastratit, e cila punon tash e shumë vite në gjimnazin “Eçrem Çabej” në Prishtinë, tashmë është afër pensionimit të saj tregoi për Telegrafin gjithë dashurinë që ka marrë ndër vite nga nxënësit e saj.

Rrugëtimi i saj deri në profesionin e mësimdhënëses nuk ishte aspak i lehtë. Kjo pasi vitet e ’80-ta të shekullit të kaluar për shqiptarët ishin të tensionuara, me protesta masive të studentëve, që kishin për qëllim mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.

Profesoresha e gjuhës angleze, Nurije Loshaj Kastratit gjatë intervistës /Foto:Ridvan Slivova/

E lindur në Deçan, më pas bashkë me familjen shkuan të jetojnë në Pejë, Loshaj-Kastrati studimet i ka kryer në Universitetin e Prishtinës ku edhe është njohur me bashkëshortin e saj.

Ishte viti 1982 kur Kastrati filloi rrugëtimin e saj si mësimdhënëse e anglishtes në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

“Për herë të parë ditarin e kam marr në dorë vitin 1982 në gjimnazin ‘Xhevdet Doda’. Meqenëse bashkëshorti im shkoi ushtar, një muaj punova aty, dhe pastaj shkova në Pejë për të qenë afër familjes time. Ka qenë një periudhë pas vitit 1981 ku situata në Kosovë filloi të përkeqësohej, por si një mësimdhënëse e re me entuziazëm dhe dëshirë që të shpërndaj njohuri, fillova të ushtroj profesionin e mësimdhënëses me një dashuri të madhe. Dashuri për nxënësit e mi për të shpërndarë dije te ta. Ka qenë një fillim i bukur, pa çka që situata atëherë filloi në mënyrë drastike të përkeqësohet”, tregoi ajo.

“Ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Kam qenë pjesëmarrëse jo vetëm në demonstratat e atij viti (1981), kur isha studente. Në demonstratën e 26 marsit ka qenë një barbarizëm i forcave speciale, për shkak se ne protestonim. Protesta ka qenë pasi policia serbe kërkonte që t’i arrestonte 40 studentë. E studentët e kishin mbyllur derën dhe ne protestonim për t’i mbrojtur ata dhe për të gjitha të drejtat e munguara në vendin tonë. Gjatë asaj demonstrate ka pasur rrahje, ka pas hedhje të bombave, asfiksim të studentëve, alivanosje dhe pastaj ka shku duke degradu situata, deri në luftën e fundit”.

Profesoresha e gjuhës angleze, Nurije Loshaj Kastratit /Foto: Ridvan Slivova/

Si një grua dhe nënë, ajo me bashkëshortin e saj vazhduan të marrin pjesë edhe në demonstratat e mëvonshme.

“Jam duke shkru një roman, për ato dy dekada shumë dramatike dhe tragjike për popullin shqiptar në Kosovë. Kam marr pjesë në demonstrata edhe si grua e martuar. I kam lënë fëmijët dhe bashkë me burrin kemi dal në të gjitha demonstratat”, ka thënë ajo.

Por, si ka qenë rrugëtimi i saj ndër vite si profesoreshë e gjuhës angleze?

Profesoresha Loshi-Kastrati tregoi se punën e ka bërë me shumë dashuri e përkushtim.

“Ndoshta nxënësit më donin edhe mua dhe e kanë dashur këtë lëndë gjithmonë. Ka pasur nxënës që edhe e kanë studiuar gjuhën angleze. E kjo më ka bërë si mësimdhënëse të ndihem shumë mirë. Kam punuar edhe në ‘Hasan Prishtina’, dhe aty kam pasur nxënës shumë të mirë”, u shpreh ajo.

Edhe pse pensionimin e ka afër, profesoresha e gjuhës angleze nuk e ka ndërmend të ndalet, kjo pasi ajo e ka dhe një pasion, krijimtarinë letrare.

Profesoresha e gjuhës angleze, Nurije Loshaj Kastratit /Foto: Ridvan Slivova/

“Do të pensionohem më 4 maj. Pasi të pensionohem mund të them se si mund të jetë ajo ndjenjë. Nuk po e mendoj shumë periudhën pas pensionimit. Unë e kam pasion dhe shkrimin dhe puna të cilën jam duke e bërë aktualisht do të më lirojë kohën për diçka tjetër që unë e kam pas pasion tërë jetën. Një libër e kam të botuar dhe është për bashkëshortin tim të ndjerë, i cili ka qenë drejtor këtu”, tha Loshi-Kastrati.

Sipas saj, të gjithë mësuesit e bëjnë punën me pasion, pasi siç tha ajo “janë të vetëdijshëm se ata duhet të japin çdo gjë nga vetja e tyre për gjeneratat e reja”.

“Jam mundur ta shpërndaj vetveten te nxënësit dhe të lë një shembull e një model se çfarë duhet të jenë kur ta arrijnë moshën e pjekurisë. Shkolla është një institucion edukativ dhe pastaj arsimor. Një jetë jam munduar që në këto dy binarë vazhdimisht të punoj me nxënësit e mi. Jam munduar që në radhë të parë t’i këshilloj. Edhe kjo periudha e elektronikës ka bërë që edhe fëmijët me qenë jo shumë të lidhur, me i dëgju siç i kemi dëgju ne prindërit. Po mundohem gjatë punës sime me kompensu dhe atë pjesë, me nxënësit që t’i këshilloj për jetën dhe si ta duan jetën, kombin dijen dhe të jenë të përgatitur për jetë”.

Profesoresha Loshi-Kastrati u shpreh se profesioni i mësimdhënësit është një mision, jo një profesion automekanik.

“Ne e kemi punën më të ndjeshme dhe me përgjegjësi të madhe. Ne duhet të përkushtohemi shumë që nxënësit tonë t’i formësojmë, pasi në secilën fazë të rinjtë i kanë problemet e veta. T’i mësojmë e këshillojmë dhe secili mësimdhënës që e ka zgjedh këtë profesion e ka parasysh rolin e tyre në formimin, arsimin dhe edukimin e nxënësve. Nuk dyshoj që e bëjnë me shumë energji pozitive dhe dashuri”, ka thënë ndër të tjera profesoresha e gjuhës angleze, Loshi-Kastrati. /Telegrafi/

Exit mobile version