Telegrafi

Mbi 4 mijë raste dhe 180 të vdekur – pse Suedia po i frikësohet kaq pak coronavirusit?

Me miliarda njerëz në të gjithë botën të mbyllur mes pandemisë së coronavirusit, një vend qëndron pothuajse i vetëm.

Në Suedi, jeta e përditshme ka vazhduar kryesisht si normale pasi autoritetet kanë ndërmarrë një qasje rrënjësisht të ndryshme për të trajtuar virusin.

Megjithëse grumbullimet e më shumë se 50 personave u ndaluan të dielën, nga 500 më parë, restorantet, baret dhe dyqanet ende u shërbejnë klientëve, shkruan France24, përcjell Telegrafi.

Ndërsa shkollat e mesme dhe universitetet kanë mbyllur dyert, vendi është një nga vendet e pakta në Evropën perëndimore ku shkollat fillore mbeten të hapura.

Dhe e gjithë kjo “hapje” po vazhdon, edhe pse Suedia ka regjistruar më shumë se 4,400 raste me coronavirus dhe 180 vdekje.

Por qeveria u ka kërkuar vetëm atyre që janë të sëmurë ose në grupe në rrezik të qëndrojnë në shtëpi.

Kryeministri Stefan Lofven u ka kërkuar njerëzve që të “marrin përgjegjësi” duke ndjekur udhëzimet shëndetësore, siç është larja e rregullt e duarve dhe të izolohen nëse sëmuren në vend që të zbatojnë masa të rrepta distancimi social.

Çfarë bie në sy gjithashtu është fakti se sondazhet kanë treguar që shumica e suedezëve mbështesin qasjen e qetë të qeverisë.

“Ne i besojmë qeverisë sonë dhe i besojmë sistemit”, i ka thënë një banor i Stokholmit AFP-së.

Por megjithatë, ka shenja të rritjes së mosmarrëveshjeve mes frikës që Suedia mund të ekspozojë veten ndaj një rreziku ekstrem.

Javën e kaluar, një grup zyrtarë të lartë të shëndetit suedez i dërguan një letër qeverisë duke kërkuar masa më të forta.

“Kombi ynë nuk duhet të jetë përjashtim nga Evropa”, thuhej letra. “Ne kërkojmë që qeveria jonë të ndërmarrë veprime tani!” /Telegrafi/