Site icon Telegrafi

Mbi 30% e familjeve në Shqipëri nuk mund të sigurojnë kushtet bazë të jetesës, Kosova qëndron më mirë

Shqipëria ka përqindjen më të lartë në rajon të familjeve që nuk mund të sigurojnë kushtet bazë për të jetuar. Kjo sipas Barometrit të Ballkanit për vitin 2019, i cili thekson se më shumë se 1/3 e shqiptarëve e kanë të pamundur plotësojnë nevojat për ushqim e veshmbathje.

Disa kthehen në shtëpi duarbosh. Të tjerët i bëjnë llogaritë mirë para se të shpenzojnë.

Buxheti nuk iu del për t’i blerë të gjitha. Kjo zonjë na tregon se për të përmbushur nevojat bazë duhet te shpenzoje rreth 1 mijë lekë të reja në ditë.

31 % e familjeve shqiptare sipas Barometrit të Ballkanit për vitin 2019 e kanë të pamundur të përmbushin nevojat për ushqim, veshje apo shërbime të tjera bazë.

Kjo është përqindja më e lartë në rajon.

Familjet shqiptare që nuk mund të plotësojnë nevojat minimale për të jetuar janë gati dyfish i atyre serbe të cilat renditen të dytat me 17%.

Më mirë paraqitet Kosova dhe Mali i Zi ku 14% e familjeve të pyetura kanë pohuar se kanë hasur vështirësi për të blerë ushqime dhe veshje në 12 muajt e fundit.

Nivelin më të ulët të familjeve në varfëri e ka Maqedonia e Veriut me 13% dhe Bosnje Hercegovina me 8%./ABCNews/

Exit mobile version