Site icon Telegrafi

Mbi 20 mijë euro shpenzime nga ish-ministri Mehaj dhe zëvendësit e tij në gjysmën e parë të vitit

Ish-ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj së bashku me dy zëvendësministrat Andan Rexhepllar dhe Shemsi Syla, për shtatë muaj shpenzuan plot 20 mijë e 453 euro.

Nga këto para, 6 mijë e 816 euro u shpenzuan vetëm nga ish-ministri Mehaj për udhëtime jashtë vendit.

Mehaj gjithashtu shpenzoi edhe 1 mijë e 240 euro të tjera për akomodim në udhëtimet jashtë vendit.

Ai gjithashtu mori plot 1 mijë e 338 euro mëditje për këto udhëtime që i realizoi në periudhën janar-korrik të këtij viti.

Ish-ministri gjithashtu i harxhoi edhe 43 euro për shpenzime tjera të udhëtimit jashtë vendit.

Shpenzimet Ministria e Mbrojtjes brenda shtatë muajve/Grafika dhe dizajni: Endrit Dallaveraj/Telegrafi.com

Sipas të dhënave që ka siguruar Telegrafi nga qasja në dokumentet publike, dy zëvendësministrat Andan Rexhepllar dhe Shemsi Syla nuk shpenzuan asnjë cent për udhëtime jashtë vendit, akomodim e mëditje.

Lexo po ashtu Shifrat e shpenzimeve në Ministrinë e Financave – mbi 3 mijë euro i shpenzoi ministri Murati vetëm për akomodim e bileta

Nga 20 mijë e 453 euro në total sa u shpenzuan për shtatë muaj, 1 mijë e 324 euro shkuan për dreka zyrtare dhe shpenzimet për bife brenda Ministrisë së Mbrojtjes.

Ish-ministri Armend Mehaj për dreka zyrtare shpenzoi 464 euro, kurse për bife 524 euro. Zëvendësministrat Rexhepllar dhe Syla së bashku shpenzuan 336 euro për bife.

Shpenzimet Ministria e Mbrojtjes brenda shtatë muajve/Grafika dhe dizajni: Endrit Dallaveraj/Telegrafi.com

Shpenzime pati edhe për telefoni mobile dhe derivate. Për këto dy kategori u shpenzuan plot 9 mijë e 689 euro.

Për telefoni mobile u shpenzuan 869 euro nga të cilat 309 euro i shpenzoi ish-ministri Mehaj, dhe nga 280 euro zëvendësministrat Adnan Rexhepllar dhe Shemsi Syla.

Ndërkaq para të shumta u shpenzuan edhe për derivate, ku shfira e shpenzimeve për shtatë muaj kap vlerën e 8 mijë e 820 euro.

Prej tyre 5 mijë e 400 euro i shpenzoi ish-ministri Armend Mehaj, 1 mijë e 800 euro zëvendësministri Adnan Rexhepllar dhe 1 mijë e 620 euro zëvendësministri Shemsi Syla.

Shpenzimet Ministria e Mbrojtjes brenda shtatë muajve/Grafika dhe dizajni: Endrit Dallaveraj/Telegrafi.com

Vlen të theksohet se të dhënat e shpenzimeve janë marrë në kohën kur Armend Mehaj ishte ende në pozitën e ministrit të Mbrojtjes. Kujtojmë se ai dha dorëheqje nga ky post më 8 gusht të këtij viti.

Mehaj ishte emëruar si ministër në këtë pozitë në vitin 2021 kur ‘Qeveria Kurti 2’ kishte filluar mandatin.

Aktualisht postin e ministrit në Ministrinë e Mbrojtjes e ushtron Ejup Maqedonci. /Telegrafi/

Exit mobile version