Site icon Telegrafi

Mbi 1 mijë e 800 raste të dhunës në familje nga janari deri në gusht në Kosovë – shumica e viktimave janë gra

Nga janari deri në gusht të këtij viti, në Policinë e Kosovës janë raportuar 1 mijë e 852 raste të dhunës në familje dhe referuar të dhënave zyrtare nga ky institucion, del se 581 raste apo rreth një e treta e totalit të rasteve janë raportuar në rajonin e Prishtinës.

Kështu u bë e ditur të enjten gjatë një tryeze diskutimi me temën “Raportimi dhe trajtimi i rasteve të dhunës në familje: Janar – Gusht 2022”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Fondi për Zhvillim të Komunitetit (CDF).

“Gjatë kësaj tryeze diskutimi ku prezent ishin përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit, Gjykatat Themelore dhe akterë të tjerë, u shpalos analiza me titull “Raportimi dhe trajtimi i rasteve të dhunës në familje: Janar – Gusht 2022”. Nga kjo analizë u konstatua se gjatë periudhës janar-gusht 2022, në Policinë e Kosovës janë raportuar 1 mijë e 852 raste të dhunës në familje”, thuhet në komunikatën për media.

Sa i përket të dyshuarve dhe të arrestuarve të personave që dyshohet se kanë ushtruar dhunë në familje, pjesa më e madhe e tyre janë burra dhe të moshës madhore. Ndërsa, sa i përket viktimave të dhunës në familje konstatohet se pjesa më e madhe e tyre janë të gra.

“Lidhur me trajtimin e rasteve te kësaj natyre nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ky institucion ka treguar efikasitet në trajtimin e dhunës në familje me kryes të mitur ndërsa kërkohet të rritet efikasiteti në trajtimin e rasteve të dhunës në familje kur kryesit e kësaj vepre penale janë madhorë”.

Ndërsa, nga analizimi i 43 aktgjykimeve të publikuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë (së bashku me degët), në periudhën janar – gusht 2022, shihet se në vetëm në pesë raste kjo gjykatë ka shqiptuar dënim me burgim efektiv, ndërsa pjesa më e madhe e aktgjykimeve konsistojnë me dënime me kusht.

Lidhur me këto raste, në 70 për qind të tyre thuhet se nuk është respektuar afati ligjor për caktimin dhe mbajtjen e shqyrtimit fillestar nga momenti i ngritjes së aktakuzës.

“Gjithashtu, ka pasur raste kur kësaj gjykate nga ngritja e aktakuzës e deri në marrjen e vendimit për rastet e dhunës në familje u janë dashur plot 2 vjet e 7 muaj e 15 ditë, apo 958 ditë, ndërsa në disa raste kësaj gjykate iu është dashur vetëm një ditë për ta gjykuar. Ndërsa mesatarja e gjykimit të këtyre rasteve është rreth tetë muaj”.

“Sa i përket gjendjes ekonomike dhe përgatitjes shkollore të të akuzuarve për dhunë në familje, nga të dhënat e analizuara rezultoi se në shumicën e rasteve të akuzuarit i përkasin gjendjes së dobët ekonomike ndërsa në bazë të komponentës së nivelit arsimor rezultoi se mbi 50% e të akuzuarve për dhunë në familje kanë të përfunduar shkollimin e mesëm”.

“Në anën tjetër, shihet zbrazëti juridike e Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, ashtu që i njëjti nuk përmban dispozita të veçanta me të cilat specifikohen dhe përkufizohen veprimet inkriminuese të cilat e përbejnë dhunën fizike, psikologjike, ekonomike dhe dhunës seksuale”. /Telegrafi/

Exit mobile version