Site icon Telegrafi

Mbi 1500 biznese kosovare, falimentuan

Gjatë vitit 2014, në Kosovë janë shuar 1663 biznese, ndërsa bizneset nuk kanë paraqitur arsyet e shuarjes.
Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Gazmend Mejzini, në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se krahasuar me vitin 2013, numri i bizneseve të shuara është pak më i lartë. “Në vitin 2014 janë regjistruar 9616 biznese dhe janë shuar 1663. Derisa në vitin 2013, ishin regjistruar 9485 biznese dhe janë shuar 1515, arsyejet nuk janë bërë të ditura”, ka shtuar Mejzini.

Politikat e pafavorshme fiskale, kamatat e larta të kredive, mungesa e një angazhimi më serioz i autoriteteve kompetente për sektorin privat, janë disa nga arsyet e shuarjes së bizneseve që i theksojnë ekspertët e çështjeve ekonomike.

Një faktor tjetër që po ndikon në shuarjen e bizneseve në Kosovë, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike, Naim Gashi, është konkurrenca e pa drejtë dhe kontrabanda në kufi. “Në rast se një kompani tregton apo prodhon produkte dhe shërbime brenda tregut të Kosovës dhe ajo i paguan të gjitha tatimet arkës së shtetit, kemi kompani të tjera që merren më kontrabandë dhe evazion fiskal dhe ato duke mos i paguar shtetit obligimet e tyre fiskale, janë shumë më konkurrente sesa kompanitë serioze. Ky është një hendikep i madh që duhet t’a adresoj Qeveria e re e Kosovës”, thekson Gashi.

Ekonomia joformale, sipas raporteve të mekanizmave financiar ndërkombëtarë dhe vetë Qeverisë së Kosovës, thuhet se është mbi 30 për qind.

Fatkeqësisht në Kosovë shuarja e bizneseve nuk vjen nga bashkimi i dy apo me tepër bizneseve për të krijuar një biznes më të fuqishëm, i cili do të ishte rezistent në një ekonomi të tregut, ku konkurrenca ashpërsohet çdo ditë e më tepër.

Numri më i madh i bizneseve që shuhen në Kosovë, sipas Gashit, është pamundësia e likuiditetit të tyre financiar dhe gjetjes së tregjeve të mjaftueshme.

“Nuk është lajm i mirë për Kosovën kur shuhen bizneset, për arsye se me shuarjen e një biznesi përveç që shuhet një biznes, aty kemi edhe një zvogëlim të vendeve të punës, kemi një zvogëlim të produkteve dhe shërbimeve brenda një ekonomie nacionale”, thekson Gashi.

Për shoqatat ekonomike në Kosovë, numri i biznese të falimentuara qështë më i lartë sesa ai që paraqesin autoritetet kompetente.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se shumë biznese të cilat falimentojnë nuk çregjistrohen për shkak të procedurave që duhet t’i përfundojnë, siç është nxjerrja e një vërtetimi nga Administrata Tatimore e Kosovës, që biznesi i ka kryer të gjitha obligimet tatimore.

“Është më i madh numri i bizneseve që kanë pushuar aktivitetin e tyre dhe kjo mund të jetë dy herë apo më shumë se sa shifrat zyrtare. Ky duhet të jetë një shqetësim i madh për institucionet. Për fat të keq, shuarja e bizneseve po vazhdon të rritet nga viti në vit”, thotë Shahini.

Shahini thekson se nga të dhënat që ata i kanë, bizneset që janë shuar kanë qenë më shumë tregtare sesa prodhuese, dhe se ato biznese kanë pasur të punësuar dy apo më shumë punëtorë.

Shuarja e bizneseve duhet të jetë sinjal alarmues për institucionet kosovare, thonë përfaqësuesit e bizneseve.

Me shuarjen e bizneseve, thonë ata, po shuhen shumë vende të punës, çka rrjedhimisht ndikon edhe në rritjen e shkallës së varfërisë në vend. /Rel/Telegrafi/

Exit mobile version