Telegrafi

Mbi 15 mijë persona nga diaspora kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues për zgjedhjet e parakohshme

Në mbledhjen e mbajtur Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se ka pranuar mbi 15 mijë aplikacione nga diaspora për t’u regjistruar që të votojnë në zgjedhjet e parakohshme.

Kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Enis Halimi, në këtë mbledhje ka thënë se që nga dita kur është hapur afati e deri sot në orët e mëngjesit këto aplikacione i kanë pranuar përmes emailit dhe fax-it.

“Prej ditës kur është hapur afati (30 gusht) deri sot në orët e paradites kemi 15 mijë e 200 aplikacione që janë për regjistrim, të cilat i kemi pranuar përmes emailit dhe fax-it”, ka deklaruar ai, përcjell Telegrafi.

Kujtojmë se periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës do të jetë gjithsej 12 ditë. Në këtë drejtim, për të aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës kanë mbetur vetëm edhe një ditë deri në përfundim të afatit zyrtar. Ndërsa zgjedhjet do të mbahen me 6 tetor. /Telegrafi/