Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 40.117 raste nga 145.363 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.026 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 585 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 25.586 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.505.
Një ditë më parë kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar marrjen e masave të reja për kufizim të lëvizjes, apo të tjera para festave të fundvitit.
I pari i Qeverisë gjatë konferencës për medie ka thënë se masat që i kanë ndërmarrë për kufizim të lëvizjes dhe të tjera mbesin në fuqi, pasi ato kanë dhënë rezultate.
Ai po ashtu ka njoftuar se gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor do të përfundojë më 18 dhjetor, ndërsa gjysmëvjetori i dytë do të në nisë më 18 janar.
Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së, tha se masat e Qeverisë, kanë dhënë rezultat, duke kërkuar ndihmën edhe të qytetarëve në këtë situatë.
“Edhe vendimet e qeverisë kanë bërë që lakorja të mbetet e sheshtë, por ka pasur efekt ky zbatim i masave. Ne do të vazhdojmë me këto masa sepse mund të bie lakorja. IKSHPK-ja, është në përcjellje të vazhdueshme të situatës dhe do të bie po që se marrim masa rigoroze. Ne po e përcjellim, por duhet ndihma e qytetarëve”, është shprehur Ramadani. /Telegrafi/