Oficerët e ushtrisë së Koresë së Veriut janë tashmë në territorin ukrainas të pushtuar përkohësisht, pohoi Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas deklaroi se shërbimet e inteligjencës së vendit kanë gjetur prova që sugjerojnë se rreth 10,000 trupa të Koresë së Veriut po trajnohen për t’u bashkuar me forcat ruse në Ukrainë.
“Këtu shohim hapin e parë drejt luftës botërore”, tha Zelensky gjatë një samiti njëditor të liderëve të BE-së në Bruksel.
Bëhet e ditur se Ukraina ka paralajmëruar më parë për partneritetin e rrezikshëm midis Rusisë dhe Iranit, me trupat e Moskës që përdorin dronët Kamikazë në fushën e betejës, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Por, dërgimi i ushtarëve të huaj në vijën e parë është një tjetër shenjë e përshkallëzimit, argumentoi Zelensky.
“Kjo nuk ka të bëjë më vetëm me transferimin e armëve. Në fakt ka të bëjë me dërgimin e njerëzve nga Koreja e Veriut në forcat ushtarake okupuese”, tha lideri ukrainas, duke shtuar se Putini po përpiqet të tërheqë vendet e tjera në këtë luftë.
Ndryshe, Zelensky ishte takuar më herët me 27 liderët e BE-së për të paraqitur “Planin e Fitores” të tij prej pesë pikash për t’i dhënë fund luftës deri në vitin e ardhshëm.
Siç raportohet, pika e parë e planit është një ftesë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake transatlantike – por për të marrë anëtarësimin në NATO, Ukrainës do t’i duhet miratimi i të 32 aleatëve, përfshirë SHBA-në.
“Nëse nuk ndihmohemi nga partnerët tanë, shanset e Rusisë në fushën e betejës rriten”, tha presidenti i Ukrainës duke theksuar se gjëja më e rëndësishme, përveç bisedimeve për armët, është se populli ukrainas shpreson të ketë një të ardhme pas luftës.
Gjithashtu, Zelensky beson se që Ukraina të mposhtë Rusinë, është e rëndësishme të jetë e fortë në fushën e betejës, por mbi të gjitha të marrë një “ombrellë sigurie”.
“Në praktikë, kjo është e vetmja shpresë për ne”. /Telegrafi/