Site icon Telegrafi

Mbërrijnë në Shqipëri dy avionë rumunë për ndërhyrje në vatrat më kritike të zjarreve

Dy avionë të Forcave të Armatosura të Rumanisë mbërritën sot në Shqipëri duke iu bashkuar përpjekjeve të forcave shqiptare për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, në disa zona problematike të vendit.

Dy avionët vijnë në vendin tonë, si mbështetje e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria.

Ekuipazhet rumune do të dislokohen për gati 10 ditë në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku do të koordinohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për t’u angazhuar që sot, në vatrat e zjarrit, ku situata është më kritike.

I pranishëm në pritjen e dy avionëve nga Rumania me ekuipazhet e tyre, ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu falënderoi autoritetet rumune për ndihmën në këto momente të vështira.

Dy avionët ushtarakë janë njëri model C-27J (Spartan), që do të angazhohet në operacionet e fikjes së zjarreve si dhe tjetri C-130 (Hercules), i cili ofron mbështetje logjistike për C-27J, ndërsa kapaciteti është 6 ton ujë për çdo fluturim. /Telegrafi/

Exit mobile version