Ka përfunduar koncerti spektakolar i artistes shqiptare me famë botërore, Rita Ora në Tiranë.
Ajo ka performuar para publikut shqiptar në sheshin “Skënderbej” disa nga hitet e saj më të mëdha në karrierë.
E veshur në ngjyrën e verdhë dhe me flokë ngjyrë të kuqe, këngëtarja shqiptare tregoi se janë ngjyrat e flamurit ato që e çuan drejt këtij ndryshimi drastik.
Momenti më kulminant ka qenë ai kur këngëtarja bashkë me valltarët, kanë kërcyer vallen e Rugovë, njëlloj siç kishin bërë edhe në koncertin e 17 shkurtit, në Prishtinë.
Ndërsa pas përfundimit të këngës “Lonely together”, Rita ka bërë një përshëndetje për DJ-në tashmë të ndjerë, Aviciin, meqë këtë këngë e kishte në bashkëpunim me të.
“Një përshëndetje për Aviciin ju lutem”, ka thënë ajo pas përfundimit të kësaj kënge.
“Anywhere” ishte kënga e fundit që Ora performoi për fansat shqiptarë. Përgjatë interpretimit, ajo dha një mesazh shumë të veçantë, duke thënë se mund të bëheni kushdo, kudo.
Pasi ka përfunduar interpretimin e këngës së fundmi, ajo është kthyer nga publiku për të realizuar një fotografi me ta.
“Ju dukeni të gjithë shumë bukur,faleminderit që ishit këtu. Mirupafshim”, ka përfunduar këngëtarja shqiptare.
Dalja e saj nga skena është përcjellë me fishekzjarre, të cilat për disa sekonda ndriçuan qytetin e Tiranës. /Telegrafi/