Site icon Telegrafi

Mbappe thyen heshtjen dhe flet për të ardhmen e tij: Fillimisht dua ta mposhtë Realin në Ligën e Kampionëve

E gjithë bota e futbollit mezi pret ta mësojë të ardhmen e sulmuesit francez Kylian Mbappe.

Ai konsiderohet si një nga sulmuesit më të mirë në botë dhe padyshim që ka një të ardhme të ndritur.

Mbappe është futur në muajt e fundit të kontratës me PSG-në dhe ende nuk ka vendosur për rinovimin, pa marrë parasysh se parisienët e duan këtë gjë më shumë se gjithçka.

23-vjeçari është pjesë e parisienëve që nga viti 2017, por tani është i lirë të nënshkruajë para kontratë me cilëndo skuadër në mënyrë që t’iu bashkohet në verë si futbollist i lirë.

Megjithatë ka qenë vet Mbappe që ka folur pas fitores 1-5 në udhëtim te Lille, duke thënë se ende nuk ka vendosur për sa i përket të ardhmes së tij.

“Vendimi për të qëndruar tek Paris Saint Germain apo për të ikur në fund të sezonit nuk është marrë akoma”, ka thënë fillimisht Mbappe.

Të gjitha mediat e mëdha e lidhin francezin me një transferim në Real Madrid në verë, por ka qenë vet Mbappe që ka folur rreth kësaj.

Ai ka thënë se momentalisht dëshiron vetëm ta mposhtë Realin e Madridit në Ligën e Kampionëve, ku PSG do të përballet me Los Blancos në kuadër të 1/8 së finales në garën më të madhe evropiane për klube.

“Fakti që luajmë kundër Realit të Madridit ndryshon shumë gjëra”.

“Edhe pse jam i lirë që të bëj atë që dua, nuk do të flas me kundërshtarin e radhës. Jam i përqendruar tek fitorja kundër Realit të Madridit, më pas të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Mbappe.

Gjithsesi përveç Realit në garë për të mbetet edhe Liverpooli, edhe pse Los Blancos janë favoritët kryesorë për të nënshkruar me të. /Telegrafi/

Exit mobile version