Cristiano Ronaldo ka pasur një qasje diplomatike lidhur me çështjen se cili do të bëhet futbollisti më i mirë në planet – Kylian Mbappe apo Erling Haaland.
Superylli i Juventusit është i vetëdijshëm për sakrificat dhe angazhimin e lojtarëve për t’u ngjitur në majat e futbollit, pasi ka pas vetes një mori trofesh dhe rekordesh, ndërsa rivaliteti i përhershëm me Lionel Messin është akoma aktual.
Derisa portugezi dhe superylli i Barcelonës janë në vitet e fundit të karrierave të tyre, tashmë po flitet për emra të rinj në botën e futbollit.
Gjenerata e re është duke u udhëhequr nga sulmuesi i Paris Saint-Germainit dhe ai i Borussia Dortmundit.
“Është vështirë të zgjedhësh vetëm një lojtar dhe të thuash se ky do të jetë më i miri, mirëpo mendoj se është entuziazmuese të shohësh këtë gjeneratë të re futbollistësh, sikur Erling Haaland dhe Kylian Mbappe që janë duke ardhur”.
“Disa lojtarë mund të kenë një apo dy sezone të shkëlqyera, futbollistët vërtet të mëdhenj janë ata që vazhdojnë të jenë të shkëlqyer sezon pas sezoni, ndërsa kjo nuk është aspak e lehtë të bëhet. Duhet shumë punë e madhe dhe shumë përkushtim”, ka thënë Ronaldo në ceremoninë e shpalljes si fytyra reklamuese globale e LiveScore. /Telegrafi/