Site icon Telegrafi

Mbappe akuzon ashpër PSG-në për lajme të rreme – përgjigjet menjëherë gjiganti francez

Kylian Mbappe ka hedhur kritika ndaj një raporti të mediumit francez RMC Sport, duke e quajtur atë si ‘lajm të rremë’ pas pushimeve të tij në Suedi javën e kaluar.

Sulmuesi francez nuk u paraqit me kombëtaren gjatë pauzës së tetorit për shkak se po ndiqte një plan të personalizuar të stërvitjeve, megjithatë ishte parë në qytetin e Stockholmit.

Një raportim nga mediumi francez pretendonte se policia suedez po hetonte për një rast dhunimi nga hoteli ku po qëndronte Mbappe, ani pse kjo nuk kishte të bëjë aspak me sulmuesin.

Kjo gjë nuk i pëlqeu aspak Mbappes i cili përmes një postimi në platformën X reagoi duke e quajtur atë si ‘lajm të rremë’, duke detyruar rrjedhimisht RMC Sport që ta fshijë lajmin.

“Është bërë kaq e parashikueshme, vetëm pak kohë para seancës gjyqësore”, kishte shkruar Mbappe në X.

Seanca gjyqësore së cilës iu referua Mbappe ka të bëjë me ish-klubin e tij Paris Saint-Germain të cilin francezi e ka paditur për shkak të moskryerjes së pagesave ndaj tij (55 milionë euro).

PSG tashmë i është përgjigjur direkt Mbappes, me një burim anonim nga klubi që ka dhënë një përgjigje për L’Equipe në lidhje me rastin.

“Sinqerisht, është një turp. PSG është përgjegjëse për çdo gjë rreth tij. A ka shënuar ai ndonjë gol (përveç penalltive) me Madridin? Është faji i PSG-së. Ai ka humbur ndeshje me kombëtaren e Francës, edhe pse ai thotë që është, por ai nuk është i lënduar? Është faji i PSG-së. Tani PSG-ja po bën lajme edhe në Suedi. Ta injorojmë dhe ta mbajmë nivelin tonë”, ishte përgjigja e tyre./Telegrafi/

Exit mobile version