Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit P. C.
Sipas një njoftimi për media, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, me datë 14.04.2021, rreth orës 16:00 minuta në shtëpinë e tij në Gjilan, në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur armë automatike të llojit “Scorpion”, me pesë karikatorë dhe 118 fishekë të kalibrit 1.65 mm.
Po ashtu si bëhet e ditur në njoftim në të njëjtën ditë i pandehuri në shtëpinë e tij, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike, ashtu që me rastin e kontrollimit nga ana e Policisë së Kosovës në dhomën e tij të ndejës, në tavolinë janë gjetur tetë qese substancë narkotike e llojit “kokainë”, në peshë prej 2.9 gram.
“Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale ‘mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve’ dhe ‘posedimi i pa autorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale. Meqenëse i pandehuri është një recidivist i veprave penale, po të gjendet në liri mund të kryejë vepra tjera penale”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/