Telegrafi

Mbante 22 kilogramë kanabis në banesë, arrestohet 48-vjeçari në Korçë

Një 48-vjeçar është arrestuar këtë të shtunë në fshatin Vashtëmi të Korçës.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi Flornad Xhabej, i cili mbante në banesën e tij 22 kilogramë kanabis.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Big Circles”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

Florand Xhabej, 48 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Korçë.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se ky shtetas ushtronte veprimtarinë e paligjshme të prodhimit e shitjes së narkotikëve, shërbimet e Policisë organizuan punën me qëllim lokalizimin e tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në fshatin Vashtëmi, u gjetën 22 kg lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në pako. Sasia e lëndës narkotike së bashku me 1 automjet dhe 1 celular u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./Telegrafi/