Telegrafi

Mbajti mikrofon “për t’u mbrojtur” nga gjyqtari i fundit, Mourinho tash përballet me Marescan që e tërboi në edicionin e kaluar

(Foto: Football Italia)

Gjyqtari Fabio Maresca, i cili e tërboi Jose Mourinhon gjatë ndeshjes ndaj Milanit në sezonin e kaluar, është caktuar që ta ndajë drejtësinë në derbin e të shtunës ndërmjet Romës dhe Interit.

Strategu portugez është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas deklaratave se ka mbajtur mikrofon në barazimin e të mërkurës ndaj Monzas “për ta mbrojtur veten” ndaj gjyqtarit Daniele Chiffi.

Tash AIA i ka caktuar gjyqtarët për takimet e fundjavës duke bërë të ditur se Maresca do të jetë kryesori në Stadio Olimpico.

Lexo po ashtu Gjyqtari i takimit Roma-Milan pritet të suspendohet për dy ndeshje për shkak të gabimeve në ndarjen e drejtësisë

Siç transmeton Il Corriere dello Sport, Mourinho ishte i pakënaqur kur ky gjyqtar e ndrau drejtësinë kundër Rossonerëve në edicionin e kaluar.

(Foto: The Mirror)

Ai ishte frustruar me Marescan saqë kishte hyrë në tunel para përfundimit të pjesës së parë duke i thënë njërit nga asistentët e tij që të bisedonte me të, sepse nëse do ta bënte portugezi, ai do ta përjashtonte.

Sidoqoftë, pritet të shihet se a do drejtojë Mourinho skuadrën e tij në derbin e të shtunës, duke qenë se Federata Italiane ka nisur një hetim pas raportimeve në lidhje me mbajtjen e mikrofonit në U-Power Stadium. /Telegrafi/