Gjyqtari Fabio Maresca, i cili e tërboi Jose Mourinhon gjatë ndeshjes ndaj Milanit në sezonin e kaluar, është caktuar që ta ndajë drejtësinë në derbin e të shtunës ndërmjet Romës dhe Interit.
Strategu portugez është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas deklaratave se ka mbajtur mikrofon në barazimin e të mërkurës ndaj Monzas “për ta mbrojtur veten” ndaj gjyqtarit Daniele Chiffi.
Tash AIA i ka caktuar gjyqtarët për takimet e fundjavës duke bërë të ditur se Maresca do të jetë kryesori në Stadio Olimpico.
Siç transmeton Il Corriere dello Sport, Mourinho ishte i pakënaqur kur ky gjyqtar e ndrau drejtësinë kundër Rossonerëve në edicionin e kaluar.
Ai ishte frustruar me Marescan saqë kishte hyrë në tunel para përfundimit të pjesës së parë duke i thënë njërit nga asistentët e tij që të bisedonte me të, sepse nëse do ta bënte portugezi, ai do ta përjashtonte.
Sidoqoftë, pritet të shihet se a do drejtojë Mourinho skuadrën e tij në derbin e të shtunës, duke qenë se Federata Italiane ka nisur një hetim pas raportimeve në lidhje me mbajtjen e mikrofonit në U-Power Stadium. /Telegrafi/