Site icon Telegrafi

Mbahet takimi i Dialogut të Politikave të Menaxhimit të Financave Publike me Komisionin Evropian

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka mbajtur sot takimin virtual të Dialogut të Politikave të Menaxhimit të Financave Publike (MFP), i cili është mbajtur nën udhëheqjen e zëvendësministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti dhe koordinatores së vendit, njëherit  zyrtare për Menaxhim të Financave Publike, në  Komisionin Evropian, Isabelle Wertheim. 

Ndërsa, të pranishëm në takim ishin edhe zyrtarë të lartë të MFPT, zyrtarë të lartë të institucioneve të tjera të Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e Komisionit Evropian, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare.

Gjatë takimit u diskutua për  sfidat dhe të arriturat e institucioneve të Qeverisë së Kosovës në menaxhimin e financave publike, duke përfshirë edhe analizën e pakos së rimëkëmbjes (përdorimi i synuar i fondeve dhe transparenca, mësimet e nxjerra), për arritjet kryesore të MFPT-së dhe ndikimi i pandemisë COVID-19, duke përfshirë edhe Planin e veprimit të Menaxhimit të Financave Publike 2021.

Gjithashtu, u diskutua Strategjia e re e MFPT-së , duke përfshirë edhe Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike dhe Prokurimin Publik.

Në fund, u prezantuan të arriturat dhe sfidat  në lidhje me transparencën dhe mbikëqyrjen e buxhetit, rishikimin e politikës tatimore, raportin monitorues të Strategjisë Kombëtare,  luftimin e ekonomisë informale, planet e ardhshme për mbledhjen e të hyrave, si dhe për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve dhe zhvillimet e ardhshme buxhetore. /Telegrafi/

Exit mobile version