Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ka nisur me debatin nëse duhet të shqyrtohet me procedura të përshpejtuara projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Kryetarja e komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se komisioni për legjislacion e ka refuzuar shqyrtimin e projektligjit, pasi është materie e gjerë dhe nuk mund të shqyrtohet me nguti.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se pasi mandati i EULEX-it ka kaluar, me këtë projektligj po bëjnë riorganizimin e dhomës së posaçme dhe po zëvendësohen gjyqtarët ndërkombëtar me ata vendor.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vetëm në qershor kanë mundur ta kalojnë këtë ligj në Qeveri dhe është në interes të Kosovës të rimarrim në pronësi ligjore këtë proces. /Telegrafi/