Site icon Telegrafi

Mbahet moduli i fundit Akademisë në fushën e raportimit për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt

Është mbajtur moduli i fundit Akademisë në fushën e raportimit për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes një njoftimi thotë se studentëve të gazetarisë dhe gazetarëve pjesëmarrës së edicionit të dytë të Akademisë, të shtunën iu është ligjëruar për roli i gazetarisë në procesin e pajtimit.

“Në këtë modul të Akademisë, të cilin e ligjëroi Besa Luci – Kryeredaktore, u diskutua rreth terminologjisë bazë për konfliktet, thelbin e tyre si dhe rolin gazetarisë në nxitjen ose zgjidhjen e konflikteve, dhe përfundimisht rëndësinë e pajtimit dhe ndërtimit të paqes. Gjithashtu, përmes trajtimit të ngjarjeve të ndryshme historike, u diskutua se si roli i medias dhe gazetarisë në konflikt dhe pas-konflikt është dydimensional. Nga njëra anë, media ka qenë e instrumentalizuar për të nxitur urrejtje dhe konflikt, nga ana tjetër, media dhe gazetaria luajnë një rol vital në ndërtimin e paqes dhe pajtimit, duke ofruar platforma për tregimin e së vërtetës, ndarjen e narrativave dhe dialogun për të transformuar marrëdhëniet dhe rindërtuar besimin”, theksohet në njoftim.

Gjatë ligjëratës u diskutua edhe për dy shkollat e rëndësishme të mendimit, gazetaria e paqes, e promovuar nga Johan Galtung dhe Jake Lunch dhe Gazetaria e ndjeshme ndaj konfliktit.

:Veç tjerash, pjesëmarrësit bashkëbiseduan se si në shoqëritë e ndikuar nga konfliktet, gazetaria luan një rol thelbësor në ndërtimin e perceptimeve dhe njohurive të publikut rreth identitetit, historisë, konflikteve dhe përpjekjeve për paqe. Gazetarët nuk janë thjesht shpërndarës të informacionit mbi konfliktin, por ata gjithashtu e formësojnë dhe strukturojnë atë, ndikojnë në mënyrën sesi publiku e percepton”, bëhet e ditur nga AGK.

Me këtë modul u bë përmbyllja e Akademisë në fushën e raportimit për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt, e cila mbështetet nga forumZFD Programi në Kosovë dhe në javët në vazhdim, pjesëmarrësit e kësaj Akademie do ta realizojnë vizitën studimore në rajon, ku do të kenë mundësinë e shkëmbimit të përvojave me kolegët./Telegrafi/

Exit mobile version