Telegrafi

Mbahet konferenca e 8-të për ujin për vendet e Ballkanit

Sot fillon konferenca e 8-të për ujin, e cila do të mbahet si një aktivitet virtual deri më 6 nëntor.

Tema e konferencës është “Uji dhe Ndryshimet Klimatike”, që është frymëzuar nga Dita Botërore e Ujit 2020 dhe fokusohet te këto dy tema dhe se si lidhen në mënyrë të pandashme me njëra-tjetrën.

“Ndryshimet klimatike janë një kërcënim i vërtetë për burimet ujore pasi ndikon në sasinë, ndryshueshmërinë, kohën, formën dhe intensitetin e reshjeve, të ekspozuara përmes ngjarjeve ekstreme të motit, siç janë thatësira dhe përmbytjet, por edhe ngritja e niveleve të detit dhe shkrirja e akullnajave. Për të trajtuar ndryshimet klimatike, ne kemi nevojë për të zhvilluar dhe zbatuar strategji të adaptimit që integrojnë palët e interesuara në sektorë të ndryshëm dhe të koordinuar dhe përtej kufijve, duke u përqëndruar në menaxhimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të ujit. Përtej kësaj, secili prej nesh ka një rol për të luajtur”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

Konferenca është konfirmuar si ngjarja më e madhe në sektorin e ujit në Ballkanin Perëndimor.

Pjesëmarrësit do të jenë në gjendje të ndjekin transmetimin e drejtpërdrejtë të sesioneve teknike, sesioneve plenare si dhe diskutimet në panel. /Telegrafi/