Të dielën në Gërmi u mbajt gara e vrapimit në shtigje “Prishtina Trails” me pjesëmarrje të 250 garuesve në 3 disiplina të ndryshme.
Garën më të vështirë, atë të 60 kilometrave e fitoi vrapuesi nga Kosova, Erzen Zyberaj që e përshkoi për pesë orë e gjysmë.
Ndërsa në kategorinë e femrave triumfoi Erida Kurshumlija me kohë 9 orë e 15 minuta.
Vlen të theksohet që kjo garë kishte mbi dy mijë metra ngjitje dhe ka përshkruar një terren malor deri tek Kalaja e Novobërdës.
Fituesit tjerë të edicionit të garës së “Prishtina Trails” ishin atletë të dalluar kosovar si, Gresa Bakraqi dhe Albion Ymeri në dhjetë kilometra, ndërsa garën në 21 kilometra e fituan Naile Seferaj dhe Uran Ahmeti.
“Prishtina Trails” është gara më e vjetër në shtigje në Kosovë dhe njihet për misionin e saj për ndikim në shoqëri përmes aktivizmit për shëndet më të mirë dhe mjedis më të pastër.
Edhe këtë vit medaljet e vrapuesve janë krijuar nga ripërdorimi i plastikës.