Site icon Telegrafi

Mbahet me dyer të mbyllura seanca për vrasjen e 18 vjeçarit në Podujevë, familjarët thonë se i besojnë drejtësisë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është mbajtur seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së 18 vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahut më 14 janar të këtij viti.

Seanca është mbajtur me dyer të mbyllura. Kështu bënë të ditur avokatët e të dyja palëve. Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Tomë Gashi pas përfundimit të seancës, para mediave u shpreh se nuk mund të jep detaje nga seanca pas vendimit të marrë në gjykatë.

“Seanca është e tipit të mbyllur, ne vetëm mundemi me ju thënë që është vazhdimi sipas propozimit të prokurorit të shtetit për shqiptimin e dënimit dhe gjykata ka sjell një vendim me të cilin faktikisht ka urdhër që detajet rreth gjykimit të mos shpalosen. Kështu që mundem me ju thanë që seanca e radhës është më 15 dhe 16 prill të këtij viti”, tha Gashi.

Gashi shtoi se në këtë seancë ishin të ftuar dy dëshmitarë për të dëshmuar, por që vetëm njëri nga ta ka qenë prezent për dhënie të dëshmisë.

Kurse xhaxhai i të ndjerit, Rrahim Fejzullahu tha se i beson drejtësisë.

“Unë i besoj drejtësisë dhe vetëm drejtësisë”, u shpreh Rrahim Fejzullahu.

Nga ana tjetër, avokati i të akuzuarve Skender Musa ka thënë se çka ka ndodhur në seancë është e ndaluar që flitet në publik dhe se gjendja është përcjellë nga ana e psikologut ndaj dy të miturve.

Më 20 janar 2024, 18-vjeçari, Lulëzim Fejzullahu kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ri-cilësuar në “Vrasje e rëndë”. Përleshja mes viktimës dhe dy të miturve kishte ndodhur më 15 janar. /Telegrafi/

Exit mobile version